Nga Gjilani, Demolli: FSK, një hap larg transformimit në ushtri

13/12/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vizituar Batalionin e Parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gjilan. Bashkë me të ishte edhe ministri i FSK-së, Haki Demolli, i cili pas takimit tha se e informoi kryeministrin për arritjet e FSK-së gjatë këtij viti.

Demolli tha se NATO ka konfirmuar intensifikimin e marrëveshjes me FSK-në, gjë që sipas tij nënkupton transformimin sa më të shpejtë të Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura.

“Shpresojmë që ky bashkëpunim do të jetë një hap më tutje në përgatitjen e FSK-së për transformimin në FAK. Kuptohet që edhe ne jemi tashmë të gatshëm, por presim vendimmarrjen politike në Kuvendin e Kosovës”, tha Demolli.

Ndërkohë, i entuziazmuar me atë që pa në këtë batalion, kryeministri Mustafa tha se FSK-ja është një forcë, e cila është e gatshme në çdo sekondë të bëhet ushtri. Ai tha se është tepër i kënaqur kur e sheh Forcën e Sigurisë në një gjendje të tillë gatishmërie.

“Të rinjtë, të cilët kanë arritur rezultate të mrekullueshme në çdo vend ku kane qenë, trajnim, edukim, gara të ndryshme, e kanë përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo është një Forcë që në çdo minutë e çdo sekondë është e gatshme të shndërrohet ose transformohet në ushtri të Kosovës, përkatësisht në FAK. Mbetet vetëm vendimmarrja politike, ku edhe ministri Demolli tha se ne duhet ta kapërcejmë këtë në Kuvend”, deklaroi Mustafa.

Top Channel