Mustafa: Më shumë përkrahje për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën

13/12/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Gjilan ka pasur një drekë pune me përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Të pranishëm kanë qenë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani; kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi; kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu; si dhe kryetarja e Kuvendit Komunal të Preshevës, Ardita Sinani.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zv.kryeministri Ramiz Kelmendi, ministri Haki Demolli dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, u bisedua gjerësisht për koordinimin, bashkëpunimin e gjithanshëm me krerët politikë, si dhe për përkrahjen e Republikës së Kosovës për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Mustafa theksoi përkushtimin e veçantë për zgjerimin e shumanshëm të bashkëpunimit, duke ofruar mbështetje konkrete për qytetarët që jetojnë në të tri komunat. Ai shprehu shqetësimin që qytetarët shqiptarë atje ballafaqohen me forma diskriminimi dhe vështirësi, të krijuara si pasojë e politikave të nivelit qendror në Serbi, duke shprehur përkujdesjen maksimale të Kosovës në këtë aspekt.

Përfaqësuesit e lartë politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës e njoftuan kryeministrin Mustafa për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen. Duke folur për zhvillimet e ndryshme në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, përfaqësuesit shqiptarë kërkuan përkrahje të mëtejshme të Kosovës në avancimin e proceseve, si dhe tejkalimin e pengesave me të cilat ballafaqohen si pasojë e politikave jo të drejta nga niveli qendror në Beograd.

Gjatë takimit u fol edhe për fusha konkrete të fuqizimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes së Kosovës për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, konkretisht në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, kulturës, arsimit, e të tjera.

Top Channel