Kosovë, Tahiri: S’kemi pasur njohuri për murin ilegal. Do të shembet

13/12/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për të zgjidhur problemin e krijuar në Mitrovicë, ku është ndërtuar sipas saj një mur ilegal duke cënuar lëvizjen e lirë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit.

“Po punojmë së bashku me Bashkimin Europian për zgjidhjen e këtij problemi dhe ju sigurojmë se nuk do të ketë mur në qytetin Mitrovicës. Ai mur do të hiqet dhe i gjithë procesi i rivitalizimit të urës dhe rrugës për këmbësorët në anën veriore të qytetit do të realizohet në pajtim me marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e kryeministrit, ku citohet ministrja Tahiri.

Në të shkruhet se, marrëveshja e Brukselit e nënshkruar më 25 gusht 2015 parashikon heqjen e barrikadës dhe rivitalizimin e urës nga ana e BE-së, si dhe rivitalizimin e rrugës kryesore të pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, që sipas marrëveshjes do të jetë rrugë për këmbësorë. Diçka e tillë është kompetencë e komunës, por sipas ligjeve të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës konsideron se ndërtimi i këtij muri ilegal është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe rivitalizimin e urës së Ibrit, të datës 25 gusht 2015”, thuhet në komunikatë.

Tahiri pranon se nuk kanë pasur njohuri në lidhje me këtë zhvillim, që ajo e quan ilegal, “përveçse në momentin kur është shfaqur ky mur ilegal mbrëmjen e 6 dhjetorit”.

“Pas komunikimit të menjëhershëm me Bashkimin Europian për të ngritur shqetësimet e shkeljes së marrëveshjes së Brukselit, ata po ashtu kanë konfirmuar të njëjtën gjë: nuk kanë pasur njohuri dhe se një mur i tillë është bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masat ligjore për ndaljen e punimeve, të cilat janë ndalur që prej 7 dhjetorit, kur është nxjerrë vendimi i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili iu është dërguar autoriteteve lokale të Komunës.

“Po ashtu MMPH po bën vazhdimisht monitorimin e situatës përmes inspektorëve të saj. Në të njëjtën kohë, Policia e Kosovës është e angazhuar plotësisht për të ruajtur rendin dhe qetësinë, duke marrë parasysh pakënaqësinë legjitime të qytetarëve për shkeljen e marrëveshjes së Brukselit dhe frikën nga skenarët djallëzorë të Serbisë”.

Qeveria e Kosovës siguron qytetarët se po punon maksimalisht, së bashku me partnerët ndërkombëtarë të Bashkimit Europian, për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ju sigurojmë se nuk do të ketë mur dhe se procesi i rivitalizimit të urës së Ibrit dhe rruga për këmbësorët në formën e shëtitores do të jetë plotësisht sipas marrëveshjes së Brukselit. Ne jemi të vendosur për këtë çështje, do ta zgjidhim, mirëpo dëshirojmë të theksojmë se do ta zgjidhim me kujdesin më të madh, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Por gjithnjë sipas ligjeve të Kosovës dhe duke respektuar marrëveshjen e Brukselit. Koha e mureve, kjo dukuri negative, nuk do të lejohet në shtetin tonë, i cili në Kushtetutën e vet ka vendosur themelet e shtetit demokratik, të lirive themelore dhe lëvizjes së lirë, të cilat askush nuk mund t’i cënojë”, thuhet në komunikatë.

Ministrja Tahiri citohet të ketë thënë se Qeveria e Kosovës ka arritur që t’i heq deri tani të gjitha barrikadat në veri të vendit, e po ashtu është hequr edhe barrikada nga ura e lumit Ibër, duke falënderuar dialogun e Brukselit dhe qëndrimin e palëkundur në këtë proces.

Top Channel