Kosovë, Lumezi kërkon më shumë në luftën ndaj korrupsionit

12/12/2016 00:00

Kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi ka pritur të hënën në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imerin, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, si dhe shefin e Departamentit special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri.

Gjatë takimit u bisedua për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit sa më të mirë mes Policisë së Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit, me qëllim rritjen e efikasitetit të punës së këtyre institucioneve dhe luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike e financiare.

Lumezi është shprehur se synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i të gjitha llojeve të krimeve, ku theksoi se prioritetet kryesor i institucionit që ai drejton është ndjekja e suksesshme e personave që kryejnë vepra penale dhe që kanë për qëllim rrënimin e bazave të ekonomisë së vendit.

Gjithashtu, Lumezi ka kërkuar nga Millaku dhe Maxhuni, që t’i japin prioritet të gjitha provave dhe pretendimeve, të cilat kanë baza të arsyeshme nëse është kryer apo është duke u kryer ndonjë vepër penale.

Ai ka kërkuar nga të pranishmit që të harmonizojnë, koordinojnë dhe të ndërmarrin veprime konkrete për prononcimet publike, të cilat janë bërë nga personat zyrtarë në emisionet televizive, thuhet në komunikatën për mediet.

Top Channel