Top Story, ‘nostalgjia’ për komunizmin

08/12/2016 00:00

26 vite më parë shqiptarët bënë një zgjedhje historike. Të vonuar, por jo për fajin e tij iu bashkuan lëvizjeve që përfshinë gjithë bllokun lindor, rrëzuan komunizmin dhe zgjodhën modelin e Perëndimit.

Sot 26 vjet më vonë, shqiptarët si shtet dhe si komb vazhdojnë të mbeten me proeuropianët, më pro Aleancës së NATO-s, më pro modelit Perëndimor. Por si shpjegohet që ende janë simpatizantë dhe shohin në mënyrë nostalgjike 26 vite më vonë regjimin komunist dhe deri diku edhe Enver Hoxhën?  

Për këto dhe sesa ka reflektuar shoqëria shqiptare në lidhje me të dhe hapat që ka ndjekur pas rrëzimit të tij u fol këtë të enjte në Top Story me të ftuar Mesila Doda, Keti Bazhdari, Lisen Bashkurti, Arjan Vasjari, Mustafa Nano dhe Eduart Zaloshnja.

Një sondazh i komisionuar nga OSBE, ku u pyetën në të gjithë Shqipërinë rreth 1 mijë persona dhe rezultatet 26 vite pas rrëzimit të komunizmit ishin befasuese. Sondazhi ishte ngritur në disa pyetje. E para ishte roli i Enver Hoxhës në historinë e vendit? Kësaj pyetjeje iu përgjigjën 45 përqind si pozitiv dhe 42 përqind si negativ.

Pyetja tjetër lidhje me zbatimin e komunizmit në Shqipëri. 37 përqind e të anketuarve thanë se ishte një ide e gabuar, 49 përqind një ide e mirë e zbatuar keq dhe 10 përqind një ide e mirë e zbatuar mirë.

Një tjetër gjetje e këtij sondazhi ishte ai se 38 përqind e të anketuarve të moshës nga 16 deri në 35 vjeç kishin mendim pozitiv për Enver Hoxhën, ndërsa tek ata mbi 55 vjeç, ky mendim pozitiv ishte mbi 52 përqind.

Për Ramiz Alinë, grupi nga 16 deri në 35 vjeç ndante 34 përqind opinion pozitiv, ndërsa për ata mbi 55 vjeç, Alia vlerësohej pozitivisht në 34 përqind.

I pari që komentoi këtë sondazh ishte Mustafa Nano. Ai tha se nuk habitet në gjetjet e sondazhit për një fakt të thjeshtë; raportin jo fort të mirë që, sipas tij, shqiptarët kanë me lirinë.

“Shqiptarët nuk e rrëzuan komunizmin. Ndryshe nga vendet e tjera të Europës Lindore, këtu ra vetë. Ishte një shpërthim dhe pamundësi që ai regjim të vazhdonte më tutje. Nëse ai regjim do të kishte fuqi ekonomike për t’u shtyrë më tutje, shqiptarët nuk do të çoheshin. Regjimi po shkonte në mënyrë natyrale drejt fundit të tij”, u shpreh ai.

Mesila Doda kundërshtoi mendimin e Nanos. Ajo thotë se shqiptarët u bënë pjesë e lëvizjeve që përfshinë gjithë Europën Lindore pas shembjes së Murit të Berlinit.

“Shqipëria u përfshi në lëvizjen e rënies së madhe të Murit të Berlinit. Pati një reaksion jo të vogël kundër regjimit që pas çlirimit të vendit. Shqipëria bëri atë që bëri gjithë lindja, ndryshoi pushtetin”, u shpreh ajo, duke shtuar se disidenca kundër regjimit nisi që në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Sondazhi – Siguria arsimi dhe shëndetësi, tre elementë që në sondazh i shohin sistemin komunist si pozitiv. Ai thotë se brezi i ri ka mungesë të theksuar informacioni për figurën e tij.

Eduart Zaloshnja rezultatin e lexon nostalgji për figurën e Enver Hoxhës, jo për regjimin.

“Thelbi i nostalgjisë është figura e Enver Hoxhës dhe për rolin e tij në historinë e vendit. Këtu është çështje nostalgjie. Në 26 vite, shoqëria nuk ka informuar brezin e ri për rolin negativ të Enver Hoxhës në historinë e vendit”, deklaroi ai.

Keti Bazhdari foli për një mungesë organizimi të shoqërisë kundër regjimit.

“Në Shqipëri ka qenë individuale dhe në rrethana fatale. Të rrallë kanë qenë ata që kanë ndërmarrë akte disidente për ide”, u shpreh ajo.

Arjan Vasjari e interpreton rezultatin si një fenomen endemik që nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por gjithë vendet ish-komuniste.

“Destanilizimi i botës komuniste ka filluar në 1956 megjithatë kulti i tij është ende i fortë. Rusët që e adhuronin atë vjet ishin rreth 36 përqind. 45 përqind e rumunëve shfaqën një nostalgji për Çausheskun, 40 përqind e Gjermanëve Lindorë thonin se nuk ishte aq keq në Gjermaninë Lindore. Është një fenomen që ka infektuar gjithë botën e lindjes. Është një fenomen endemik dhe nuk duhet të habitemi me këtë sondazh”, deklaroi Vasjari.

Më tej, ai hodhi dyshimet për rezultatin e anketës.

“Dyshoj tek sondazhi sepse kjo shifër nuk është reflektuar në votë për Partinë Komuniste dhe ka një mospërputhje mes filoeuropianizmit dhe proamerikanizmit tonë që shkon në 89 përqind me këto shifra nostalgjike për regjimin”, thotë ai.
 
Skepticizmin për rezultatin e sondazhit e shfaqi edhe Lisen Bashkurti. Ai foli për shpërndarje në shtresa dhe grupmosha të gabuar të pyetësorit.

Mesila Doda deklaroi se pjesa më e madhe e të rinjve që kanë nostalgji për regjimin e bëjnë këtë nga padija. Sipas saj atyre nuk u mësohet e kaluara dhe kërkoi një reflektim nga shoqëria. Deputetja e PDIU-së tha se klasa politike po refuzon nismat në këtë fushë.

“Kam çuar shumë nisma në Kuvend për këtë, përfshirë atë për hapjen e dosjeve. Unë i kam dërguar dy letra kryetarit të Kuvendit për një ligj për heqjen e medaljeve për personat e përfshirë në krime në regjimin komunist dhe kryetari i Komisionit të Sigurisë e rrëzoi atë si antikushtetuese. Klasa politike nuk do të ketë lustracion”, deklaroi Doda.

Arjan Vasjari ndau një tjetër mendim. Ai tha se trajtimi i së shkuarës nga pikëpamja ligjore ishte i ezauruar dhe shoqërisë i mbetet trajtimi i saj vetëm nga ana morale.

Top Channel