Rakiç: Kosova nuk pyetet për veriun

08/12/2016 00:00

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç sfidon qeverinë kosovare. Ai ka deklaruar se muri që është duke u ndërtuar në veri tek ura nuk do të shembet dhe se ministrja për Dialog nuk do të pyetet kurrë se çfarë do të ndërtohet në veri.

Rakiç, që prej zgjedhjeve lokale të vitit 2013 në Kosovë, thotë se muri është një “mbrojtës”, pjesë e projektit për të cilin përfaqësuesit e Beogradit, të Prishtinës dhe të BE-së kanë qenë në dijeni.

“Madje, të dy firmat, njëra serbe që kryen punët në zonën e këmbësorëve dhe tjetra shqiptare, e cila kryen punët në rivitalizimin e urës, i kanë harmonizuar bashkë punët për realizimin e këtyre dy projekteve. Ndaj, nuk bëhet fjalë për diçka që figuron nga sot dhe që të befasoheni”, ka thënë ai.
 
Ministrja Edita Tahiri mblodhi një ditë më parë me urgjencë takimin e grupit të punës për marrëveshjet e Brukselit. Informoi BE-në për zhvillimet në veri, duke e cilësuar murin një akt destabilizues dhe në kundërshtim me marrëveshjet Prishtinë-Beograd, por edhe ligjet e Kosovës.

Maja Koçijançiç, zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, u ka thënë mediave kosovare se po shqyrtohen raportimet për murin.

Top Channel