Ministeriali i OSBE-së, Bushati: Kosova, në organizatë

08/12/2016 00:00

Siguria në Europë dhe forcimi i bashkëpunimit kanë qënë në fokus të punimeve të këshillit të 23-të të Ministerialit të OSBE-së, në kuadër të Presidencës gjermane.

Teksa adresoi sfidat kryesore rajonale, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati theksoi kontributin që Shqipëria po jep në përballimin e fenomeneve të tilla.

“Ndërkohë që kontinenti ynë përballet me sfida të shumta dhe të ndërthurura të sigurisë, OSBE-ja mbetet një forum unik për dialog gjithëpërfshirës dhe një fushë beteje e vërtetë e vlerave. Është thelbësore që ne të komunikojmë me njëri-tjetrin në mënyrë që të zvogëlojmë pasigurinë, të zvogëlojmë zonat gri të sigurisë dhe të reduktojme paragjykimet të cilat shpesh shoqërojnë paranojën”, deklaroi Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare u ndal edhe tek zhvillimet në rajon.

“Ballkani Perëndimor ka përparuar mirë në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe mezi presim ditën kur edhe Kosova do të ulet rreth kësaj tryeze si një shtet pjesëmarrës. Deri atëherë, ne inkurajojmë fuqishëm Presidencën e ardhshme austriake që të eksplorojë të gjitha mundësitë që kjo organizatë të mos diskutojë më për Kosovën pa Kosovën”, tha Bushati.

Pas Gjermanisë, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kryesia e OSBE-së i kalon Austrisë.

Top Channel