Jemen, aty ku mbizotërojnë skamja e kolera. OKB: Bota mbyll sytë para krizës

07/12/2016 00:00

Në duart e mjekut, koka e foshnjës me emrin Ibrahim duket pabesueshmërisht e vogël. E sigurisht ai vepron me delikatesë, i ndërgjegjshëm për brishtësinë e bebes. Gjithçka rreth tij duket gjigante.

Pelenat që vesh Ibrahimi janë më të voglat të mundshme, por sërish duken tejet të mëdha për të. Me sytë e tij të mëdha dhe fytyrën e tij të rrudhosur, me brinjët që duket sikur duan t’i shqyejnë lëkurën, bebja duket sikur është i plakur përpara kohe.

Madje duket si perverse po ta përshkruash një fëmijë të këtij shteti si “me fat”, por Ibrahimi ka mundur të mbijetojë për 21 ditë dhe mjekët kanë shpresa se ai do të durojë e do të mbijetojë, ndryshe nga vëllai i tij binjak, i cili nuk mundi të jetonte më shumë sesa disa sekonda pas lindjes.

Nëna e tyre, Wafaa Hate qëndron e shtrirë në krevat me të birin, duke i fërkuar gishtat sa herë që qan. Ashtu si miliona jemenas të tjerë, familja është zhvendosur për shkak të luftës. Lufta e tyre për ekzistencë është e varur në fije të perit me sfidën për të gjetur ushqim për të ngrënë.

Babai i Ibrahimit është një shofer taksie, por me ekonominë e shkatërruar të vendit, edhe ai vuan të gjejë klientë. “Ndonjëherë bashkëshorti im siguron punë, por shpesh nuk mundet. Ndonjëherë hamë diçka, e shpesh mbetemi pa ushqim”, thotë Wafaa.

Kjo është një prej dëshmive nga lufta në Jemen, që ka shkaktuar normat më të larta të kequshqyerjes në dy vitet e fundit, të cilat janë rritur me 200%. Ndërsa 50 për qind e ambienteve spitalore tashmë kanë dalë jashtë funksionit. Disa janë bombarduar nga koalicioni i udhëhequr prej sauditëve, ndërsa të tjerë kanë ndalur së funksionuari sepse u mungojnë fondet. Rrugët kyçe dhe urat sulmohen shpesh, duke e bërë edhe dërgimin e ndihmës shumë më të vështirë. Edhe fluksi i ndihmave shpesh ndalet nga rebelët, të cilët duan të kontrollojnë shpërndarjen. Disa nëpunës civilë, përfshi ata në sektorin e shëndetësisë, nuk janë paguar për 4 muajt e fundit.

Shoqata bamirësie, si “Mjekët pa kufij” përpiqen të lehtësojnë sadopak këtë tragjedi humane, por kjo mbetet gjithsesi një detyrë e vështirë përballë burimeve të kufizuara. Mjafton të ecësh korridoreve të spitaleve dhe lufta shfaq fytyrën e saj të vërtetë.

Jashtë qyteteve, mes njerëzve shumë të varfër nëpër fshatra që nuk përballojnë dot as transportin për në spital, njerëzit iu afrohen vizitorëve të huaj me shpresën se ata do t’u japin diçka në formë ndihme. Punonjës lokalë të fondacionit “Save the Children” drejtojnë klinikat e lëvizshme shëndetësore në zona të ndryshme, por ato janë shumë të vogla për të përballuar shkallën e gjerë të kërkesave.

Mungesa e ujit të distiluar e ka përkeqësuar krizën, ndërkohë që së fundi ka shpërthyer edhe kolera. Ka pasur raste të panumërta të pneumonisë dhe diarresë akute, të cilat janë me pasoja shkatërruese sidomos për të rinjtë. Kriza në Jemen është lënë në harresë për shkak të luftrave në Siri dhe Irak. Një zyrtar i lartë i OKB-së në vend, Jamie McGoldrick duket tejet i irrituar me përgjigjen e ndërkombëtarëve. “Politika në këtë situatë ka tejkaluar humanizmin”, thotë ai. “Humanizmi duket se nuk ekziston më. Bota ka mbyllur njërin sy përballë asaj çfarë po ndodh në Jemen. Edhe ne nuk kemi më rezerva për t’i bërë ballë kësaj krize, është një situatë e jashtëzakonshme dhe dëshpëruese”.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel