“Java antikorrupsion” në Kosovë mbledh përfaqësuesit e “Quint”-it

05/12/2016 00:00

Në hapjen e “Javës së antikorrupsionit në Kosovë”, ambasadorët e shteteve të “Quint”-it në Prishtinë kanë bërë thirrje për luftimin e korrupsionit nga institucionet e vendit, e veçanërisht ato të drejtësisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie tha se, për herë të parë “mburret” me një organizim të tillë nga Organizatat Joqeveritare në Kosovë, por shtoi se duhet të rritet llogaridhënia brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorët të jenë më të përgjegjshëm.

“Prnaia e të gjitha organizatave e shteteve të Quintit tregon rëndësinë e të luftuarit të korrupsionit. Këtë javë, për herë të parë mburrem me mobilizimin e OJQ-ve, të cilat kanë krijuar një grupim kundër korrupsionit. Ne këtu jemi për të ndihmuar, si shtete të Qunitit, por rëndësia e luftimit të korrupsionit mbetet te qytetarët e Kosovës. Ambasada jonë, bashkë me Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë sektorin e sistemit të drejtësisë po bëjmë përpjekje për të rritur llogaridhënien brenda sistemit, që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë më të përgjegjëshëm ndaj luftës kundër korrupsionit”, tha Delawie.

Edhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se ambasadat në Kosovë kanë për qëllim që të investojnë dhe shtoi se, një gjë e tillë mund të bëhet duke luftuar korrupsionin në vend.

“Fokusi i ambasadës sonë është te tërheqja e investimeve, e për këtë arsye lufta kundër korrupsionit është me rëndësi. Mundësitë e krijimit të biznesit për kompanitë private janë shumë të rëndësishme, për sa kohë që edhe prokurimi publik ofron mundësi për keqpërdorime nga zyrtarët publikë. Pra prokurimi publik konsiderohet si një fushë shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit, e për këtë arsye është me rendësi të adresohet si problem. Në përgjithësi, korrupsioni ndikon te mungesa e ofrimit të shërbimeve gjyqësore te qytetarët dhe krijon mungesë besimi dhe mungesë efikasiteti si rezultat. Ajo çfarë do të bëhet me prokurimin publik, duhet të konsiderohet me prioritet. Qeveria duhet të ofrojë shërbime sa më të mira, duhet të ketë sisteme efikase dhe transparente ndaj publikut. E për këtë, të gjithë qytetarët duhet të jenë të informuar se çfarë po ndodh sa i përket ofrimit të shërbimeve publike”, tha Viets.

Në këto punime ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili u shpreh se prania e korrupsionit në shoqëri dhe institucione e dëmton vendin. Ai deklaroi se, si ambasadë është duke bërë përpjekje të ofrojë sa më shumë mbështetje për qeverinë në këtë drejtim.

“Korrupsioni në shtet  dhe shoqëri është e qartë që e dëmton të ardhmen e Kosovës, ndaj dhe jam thellësisht i bindur që me votat dhe zërat e qytetarëve mund të luftohet. Mos e pranoni kurrë, në çfarëdo niveli, sepse do t’iu minojë të gjithë shtetin. Profesionalizmi është ajo çfarë kërkon shoqëria, njerëz të mirë që ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët. Kjo kërkon vullnet politik, kërkon mbështetje, e për këtë arsye, ne si ambasadë britanike, me të gjithë kolegët e pranishëm jemi duke u munduar t’i ofrojmë sa më shumë mbështetje qeverisë, e cila të ndërtojë një kulturë bazuar në merita e jo në favorizime. Ne jemi të përqëndruar te bordet e ndërmarrjeve të pavarura, të cilat punësojnë mijëra qytetarë. Të mos pretendojë askush që në bashkësinë ndërkombëtare është i pranishëm korrupsioni. Prania e ambasadorëve këtu është shenjë e qartë se ne interesohemi dhe shqetësohemi me nivelin e korrupsionit, por duhet më shumë energji dhe guxim prej qytetarëve, shoqërisë civile, medieve, që të bëhet një ndryshim në shoqëri. Jam i bindur se, me fuqitë e qytetarëve, gjë që është treguar edhe në kohë më të vështira, kjo gjë do të arrihet”, tha O’Connell.

Ambasadori i Italisë, Piero Cristoforo Sardi tha se ky problem duhet të luftohet, sepse dëmton rëndë ekonominë. “Duhet të forcohet ekonomia dhe zhvillimi i saj në vend, ndaj duhet të luftohet korrupsioni”, tha ai.

Ndërsa, ambasadorja e Bashkimit Europian, Nataliya Apostolova tha se duhet të ketë transparencë të institucioneve, në mënyrë që të luftohet ky problem.

“Transparenca është një proces i rëndësishëm në sistemin e demokracisë. Bashkimi Europian, së bashku me Parlamentin kanë implementuar politika të mira për të luftuar dukurinë e korrupsionit e të vihet në pah transparenca, pasi transparenca dhe integriteti janë gjërat kryesore të sistemit demokratik në Kosovë. Respektoni votën e qytetarëve dhe atë që ata vendosin”, tha ajo.

Ambasadori i Francës, Didier Chabert tha se duhet të luftohen biznezet e paligjshme.

“Është e rëndësishme që axhenda kosovare të fillojë me këtë, që të bëjë ndryshime. Nuk ka kohë për të humbur në luftimin e kësaj dukurie. Duhet të kemi investime, të luftohet ekonomia joformale, të forcohet sektori privat dhe publik, në mënyrë që të luftohet ky proces dhe qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë”, tha ai.

“Java kundër korrupsionit” do të zgjasë për 5 ditë.

Top Channel