Bursa bujqësore, projekti për të rregulluar çmimin e shitjes së produkteve

30/11/2016 00:00

Shpesh herë fermerët ankohen se prodhimet e tyre shkojnë dëm, për shkak të lojërave me çmimet që bëjnë tregtarët.

Qeveria prezantoi projektin për bursën e parë për prodhimet bujqësore, me qëllim eliminimin e spekulimeve me çmimet. Platforma, do të funksionojë në një nga qarqet e jugut ku ka dhe prodhimin të bollshëm. Çmimet do të rregullohen përmes një sistemi elektronik dhe përditësimi është në kohë reale.

“Do të kemi përcaktimin e dakordësuar të çmimeve të referencës, mbi bazën e ofertave që vijnë nga prodhuesit, mbi bazë ditore përmes një sistemi, i cili përllogarit në mënyrë automatike çmimet minimale, mesatare dhe maksimale për prodhimet bujqësore”, tha ministri Panariti.

Projekti i bursës do te plotësohet me aktet nënligjore pasi të merren mendimet nga grupet e interesit dhe ekspertët e bujqësisë. Mbetet për t’u parë kush do ta menaxhojë privati apo shteti.

“Kush do jenë aktorët e administrimit të bursës? Ky është një hap që do të mendohet”, shtoi ministri.

Pjesëmarrja në bursë është e lirë, por si për fermerët ashtu dhe për tregtaret duhet regjistrimi fiskal.

Top Channel