Kosovë, Thaçi: Sot liberalizimin e vizave, nesër BE-në

25/11/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në “Facebook” e ka përshëndetur takimin përurues të Këshillit për Stabilim-Asociim ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës.

Sipas presidentit Thaçi, Kosova dhe BE-ja u takuan këtë të premte në nivel të lartë politik, si dy palë të barabarta për të diskutuar aspektet kyçe të ndërlidhura me MSA-në, “marrëveshjen historike që kemi nënshkruar vitin e kaluar, e cila është themeli i marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës”.

“Kjo marrëdhënie duhet të jetë e qartë dhe e bazuar në faktin se reformat sjellin rezultate konkrete. Kosova nuk mund të ecë përpara në mjegull”, ka shkruar më tej Thaçi.

Sipas tij, reformat e bëra deri më sot dhe ato që do të ndërmerren si pjesë e procesit të integrimit europian “duhet të nënkuptojnë që Kosova, nesër të bëhet shtet anëtar i BE-së, ndërsa sot të sigurojë liberalizimin e vizave”.

Top Channel