Kosovë, Apeli lë në fuqi dënimet për Zeqirja Qazimin dhe të tjerët

25/11/2016 00:00

Zeqirja Qazimit dhe të dënuarve të tjerë së bashku me të, për vepra penale që lidhen me terrorizmin, iu janë lënë në fuqi dënimet e vendosura nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Lajmin e bëri të ditur Gjykata e Apelit me anë të një komunikate, sipas së cilës janë refuzuar ankesat e Prokurorisë dhe palës mbrojtëse.

Apeli njoftoi se la në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, më 20 maj 2016, sipas të cilit të dënuarit Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba u dënuan për “rekrutim për terrorizëm”, “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” dhe “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar ose etnik”.

Zeqirja Qazimi, ish-imam në xhaminë “El-Kudus” u dënua me 10 vite burg nga Gjykata Themelore e Ferizajt, ndërsa me 8 vite heqje lirie ishte dënuar Ilir Berisha; me 7 vite e 6 muaj Sadat Topojanin; Ilir Krraba u dënua me 5 vite burgim; Burim Ballazhi me 4 vite e 6 muaj; Jetmir Kyçyku me 4 vite dhe Liridon Kabashi me 3 vite.

Berisha, Kabashi dhe Ballazhi pranuan fajësinë gjatë gjykimit. Komunikata e Apelit sqaron se, pas shqyrtimit, kjo gjykatë vendosi se pretendimet e Prokurorisë për dënime të buta, si dhe ato të mbrojtjes për dënime të ashpra janë të pabazuara.

“Nga Gjykata e Shkallës së Parë, realisht janë vlerësuar si rrethanat lehtësuese, ashtu dhe roli i të akuzuarve dhe kontributi i tyre në kryerjen e veprave penale, për të cilat janë shpallur fajtorë”, thuhet në komunikatë.

Top Channel