Raporti i autopsisë së Deharit, VV: I pabesueshëm

18/11/2016 00:00

Pas konferencës së kryeprokurorit të Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, në lidhje me raportin e autopsisë së Astrit Deharit, aktivistit të VV-së që humbi jetën ditë më parë në burg, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një deklarate, ky subjekt politik e quan raportin e autopsisë si jo të besueshëm, ndërsa thotë se kryeprokurori i Prizrenit nxitoi të nxirrte përfundime ende pa u mbyllur hetimet.

“Avokati i familjes, z. Tomë Gashi, mori raportin e autopsisë. Aty konfirmohet se Astrit Dehari ka vdekur nga asfiksia mekanike, nga bllokimi i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti i fortë. Kryeprokurori z. Sylë Hoxha doli në konferencë shtypi me konstatime ende pa u bërë e pa u kryer hetimet. Ekspertët e mjekësisë ligjore që i ka angazhuar familja, Dr.Besim Ymaj dhe Dr.Besim Latifaj, kanë qenë të pranishëm gjatë ekspertizës, por nuk janë ftuar për të thënë fjalën e tyre dhe nuk u janë dhënë materialet bazë e provat, madje as fotografitë me ngjyra”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas tyre, në këtë raport nuk shpjegohen lidhjet shkencore e logjike midis konstatimeve të shkakut të vdekjes dhe shkaktarit të vdekjes, çka e bën këtë raport të pabesueshëm.

“Raporti është dhe konkluzioni i tij mbi shkaktarin e vdekjes është i pabesueshëm. Do të nevojiten disa ditë që Dr.Besim Ymaj e Dr.Besim Latifaj të analizojnë raportin dhe të thonë mendimin e tyre, bazuar edhe në shënimet e tyre të vëzhgimit të ekspertizës”, përfundon reagimi i lëvizjes Vetëvendosje.

Top Channel