Kryeprokurori Hoxha: Astrit Dehari u vetëvra

18/11/2016 00:00

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, në një konferencë për media ka thënë të gjitha provat tregojnë Astrit Dehari, aktivisti i Vetëvendosjes që humbi jetën ditë më par në burg, është vetëvrarë dhe se ekzaminimet e kryera eliminojnë çdo mundësi për ndonjë ndërhyrje të jashtme.

“Janë rimarrë në pyetje 4 persona dhe janë marrë parasysh dëshmitë që do t`i dërgohen së shpejti familjes Dehari. Nuk është vënë asnjë dyshim i mundshëm për një përleshje të mundshme mes tre të tjerëve të burgosur. Janë evidentuar të gjitha lëvizjet e të paraburgosurve dhe lëvizjet e oficerëve korrektues që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar ndërhyrje, lëvizje nga faktori i jashtëm në dhomën A3. Ju njoftojmë se nga ekzaminimi i ngjarjes se dhoma A3 gjendet në katin e dytë dhe tetë metra në lartësi nga toka dhe dritarja është e siguruar me grila të fortë e të cilat nuk shihet se janë të dëmtuara. Në pjesën e jashtme gjendet pika e vrojtimit në të cilët gjendet një oficer që gjendet 10 metra larg dhomës. Të paraburgosurit e tjerë kanë qenë jashtë në shëtitje kështu që kjo eliminon çdo mundësi për ndërhyrje”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, edhe testimet për përdorimin e ilaçeve apo drogës rezultuan negative, ndërsa Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të cilat kanë rezultuar të jenë origjinale.

Hoxha këtë konferencë e ka mbajtur pas raportit të autopsisë së Astrit Deharit i cili iu dorëzua avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi. Ky i fundit e ka vlerësuar raportin si jo të besueshëm.

Top Channel