Kosovë, Apeli dënon Sami Lushtakun dhe Sylejman Selimin

15/11/2016 00:00

Gjykata e Apelit të Kosovës ka bërë publik aktgjykimin për rastet “Drenica I” dhe “Drenica II”, përmes të cilave të gjithë komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, që kanë qenë pjesë e këtyre dy gjykimeve, i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me burg. Lajmin e ka bërë publik avokati Tomë Gashi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Në aktgjykimin e sotëm, dënimi i gjeneralit Sylejman Selimi është përcaktuar me 5 vite e 3 muaj burgim, ndërkohë që, duke pasur parasysh edhe rastin ‘Drenica II’ i janë bashkuar dënimet dhe i është shqiptuar dënimi unik me kohëzgjatje prej 10 vitesh”, ka shkruar avokati lidhur me klientin e tij, Sylejman Selimi, i cili në kohën e luftës ka qenë edhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Avokati Gashi ka njoftuar gjithashtu edhe për dënimin që i është shqiptuar kryetarit aktual të Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku. Sipas tij, ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës është liruar nga akuza për vrasje.

“Ai është çliruar nga vepra penale e vrasjes, ndaj dhe dënimi është ndryshuar dhe i është shqiptuar burgim prej 7 vitesh. Sikurse edhe Jahir Demakut, të cilit i janë bashkuar dënimet në rastet ‘Drenica I’ dhe ‘Drenica II’ dhe i është shqiptuar dënim me burgim prej 7 vitesh”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.

Më tej, avokati tregon se pjesa tjetër e aktgjykimit është lënë në fuqi nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, vendim i datës 25 maj 2015.

“Aktgjykimi është skandaloz, është nxjerrë pa asnjë provë dhe të gjithë janë dënuar me deklaratën e një dëshmitari të mbrojtur, i cili ka probleme mendore të vërtetuara edhe gjatë gjykimit”, ka shkruar Tomë Gashi, duke paralajmëruar se ai dhe kolegët e tij avokatë do ta dërgojnë këtë rast në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku ishte dënuar më 27 maj 2015 nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 12 vite burgim, për një vrasje të kryer gjatë vitit 1998, ndërsa Sylejman Selimi me 6 vite për keqtrajtim të civilëve gjatë luftës.

Top Channel