Më shumë para për rrugët; prioritet projektet ekzistuese, më pak për akse të reja

09/11/2016 00:00

Sipas buxhetit, vepra që merr “pjesën e luanit” për investimet është rruga Qukës-Qafë Plloç, e cila vitin e ardhshëm financohet me 2.73 miliardë lekë ose mbi 22 milionë dollarë. Ky aks ka nisur vitin e kaluar dhe sipas programit buxhetor afatmesëm përfundon në 2018-n.

Projekti i dytë me financimin më të madh është sërish në qarkun e Korçës. Bëhet fjalë për rrugën, Qafë Thanë-Lin-Pogradec, që në vitin 2017 merr 1.3 miliardë lekë ose mbi 10 milionë dollarë. Edhe ky projekt është ekzistues. Ai ka nisur në vitin 2013 dhe përfundon në 2019-n.

Tiranë-Elbasan dhe Rruga e Kombit janë dy projekte të tjera që do të vazhdojnë të marrin sërish para nga buxheti. Sipas listës së investimeve, për Tiranë-Elbasan do të shpenzohen 1.25 miliardë lekë, ndërsa për Fushë Krujë-Milot Morinë do të paguhen vitin tjetër 1.23 miliardë lekë. Të dy veprat sipas Ministrisë së Financave përfundojnë në vitit 2018.

By-passi i Vlorës dhe ai i Fierit, do të marrin respektivisht 250 dhe 900 milionë lekë. Të dy veprat vazhdojnë të zvarriten prej vitesh dhe sipas listës së investimeve nuk pritet të përfundojnë para vitit 2019.

Fushë Krujë-Thuman dhe Skrapar-Përmet janë dy rrugë projekte të tjera që vazhdojnë, por financimi për to është më i ulët. Në total Ministria e Transportit pritet që vitin e ardhshëm të marrë 27 miliardë dhe pas rrugëve sektori më i financuar janë ujësjellësit që marrin mbi 8 miliardë lekë për vitin e ardhshëm.

Top Channel