Pak ditë më parë, në Austri është rikthyer çështja e trukimeve të disa ndeshjeve të sezonit 2010-2011, ku mes personave të përfshirë figuronte edhe emri i ish-futbollistit të përfaqësueses sonë, Altin Rraklli.
Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, Rraklli ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur dhe si është gjendur ai në mesin e kësaj situate, që njollos jo pak emrin e tij të madh si futbollist i kombëtares.
“Para shumë vitesh kam qenë me disa shokët e mi në shoqëri me futbollistë dhe miq të mi. Ato që unë përktheva mes shokëve e miqve që ishin aty, nuk ishte edhe aq e saktë. Edhe gjyqtari me prokurorin e pranuan se unë nuk isha bërë pjesë e këtij trukimi, apo nuk kisha marrë pjesë drejtpërdrejt në trukim, por fatkeqësisht kisha ndihmuar me përkthimet e mia ndërmjet disa personave për angazhimin e këtij trukimi. Kjo ishte arsyeja. Prokuroria e kishte të pamundur që të mos jepte një masë”, shprehet Altin Rraklli, ish-futbollist i kombëtares.
Megjithatë, kjo përfshirje e ka penalizuar Altin Rrakllin me një dënim prej 10 muajsh liri me kusht dhe 1.200 euro gjobë, pavarësisht kontributit të paqëllimtë në këtë çështje. Por për detyrimin moral, – siç e quan ai, – ndaj publikut shqiptar, Rraklli betohet për gjithçka ka, për vërtetësinë e fjalëve të tij, duke u përpjekur në fund të kalojë këtë situatë të vështirë me sportivitet.
“Dua t’iu them të gjithëve, e për këtë ju siguroj me ndërgjegje të plotë dhe jetën time, se nuk jam marrë kurrë, as në kohën kur kam luajtur futboll, as kur kam qenë trajner. Madje edhe më vonë në të ardhmen, nëse do të vazhdojë karriera ime si trajner, nuk do të merrem kurrë me gjëra të tilla. Kjo në gjuhën e futbollit është karton i verdhë, e meqë e kam marrë një të tillë, kam qenë nga ata lojtarë që nuk rrezikoja kurrë të merrja kartonin e dytë të verdhë”, tha Altin Rraklli.
Top Channel