Pagat rriten në mars, Ahmetaj: Në 2017 rimbursim ilaçeve për të gjithë

04/11/2016 00:00

Qeveria miratoi në një mbledhje të posaçme  buxhetin e fundit të mandatit, i cili sipas ministrit të Financave e vendos Shqipërinë në pararojën e ekonomive rajonale.

“Buxheti i vitit 2017 mbështet përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe e çon atë në 3.8 përqind. Kjo na bën ndër dy vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon”, thotë ai.

Buxheti rrit pagat me 10 përqind dhe pensionet me 3 përqind. Por sipas Ahmetajt ai financon edhe një përfitim tjetër direkt për qytetarët.

“Rimbursimi i ilaceve do të jetë i mundur për të gjithë. Pra, ndryshe nga tani që e përfitojnë vetëm pensionistët dhe të varfërit, nga viti tjetër të gjithë qytetarët do marren ilaçe me rimbursim, ato që gjenden në listë”, u shpreh Ahmetaj.

Buxheti jep 7.3 miliardë lekë për koncesionarët privatë të kontraktuar nga Qeveria për të kryer shërbime publike, kryesisht në shëndetësi.

“Përmes koncesioneve është bërë e mundur të kryehën 400 milionë dollarë investime, të cilat ne me buxhetin nuk i kryenim dot”, deklaroi ministri.

Huamarrja e Qeverisë për 2017-ën programohet rreth 30 miliardë lekë, ose 1.9 përqind e prodhimit kombëtar, që është niveli më i ulët historik. 

Top Channel