Ish-kryeministrja sllovake: Njohim Kosovën, nëse arrihet akord nga dialogu me Serbinë

24/10/2016 00:00

Ish-kryeministrja e Sllovakisë, Iveta Radiçova tha për “Radion Evropa e Lirë” se, njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi i saj varet nga përfundimi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Do të presim përfundimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse arrijnë një marrëveshje, atëherë Sllovakia do ta njohë Kosovën”, tha Radiçova.

Ish-kryetarja e ekzekutivit sllovak tha gjithashtu se BE-ja duhet të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor, që po përballen me shumë fatkeqësi, përfshirë edhe varfërinë e madhe, para së gjithash Kosovëm dhe Bosnjë-Hercegovinën.

“Duhet të ndihmojmë në rimëkëmbjen dhe ndërtimin e infrastrukturës ekonomike. Në të kundërt, qytetarët e këtyre vendeve do të jenë çdo ditë e më të pakënaqur”, tha Radiçova.

Ajo tha gjithashtu se “entuziazmi i qytetarëve të vendeve të Ballkanit me BE-në po bie, për shkak se nuk shohin një përmirësim të prekshëm në jetën e përditshme”.

Sllovakia është një nga 5 vendet anëtare të BE-së, që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur prej vitit 2008.

Top Channel