NATO, Thaçi: Vonesat në integrimin e Ballkanit Perëndimor, hapësirë për ideologjitë e rrezikshme

23/10/2016 00:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë këtë të dielë në seminarin e 93-të “Rose Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po i zhvillon punimet në Prishtinë. Ndër të tjera, Thaçi ka thënë se Kosova është një rast i mirë për t’i dhënë leksione të rëndësishme bashkësisë ndërkombëtare.

“Kosova nuk është më burim i jostabilitetit, përkundrazi është eksportues i paqes dhe dialogut. Kjo e bën Kosovën mundësi të mirë për të mësuar për rastet e ngjashme nga e tërë bota”, ka thënë presidenti Thaçi.

Para 17 viteve, Thaçi ka thënë se Kosova ishte një vend i sapodalë nga lufta, nga përpjekja për gjenocid, nga një dekadë e represionit dhe aparteidit shtetëror serb, si dhe nga dekada të tëra të diskriminimit.

“Në ato ditë të rënda për ne, ishte bashkësia ndërkombëtare e veçanërisht NATO, që u vunë në krye të rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e pritën krahëhapur forcën paqeruajtëse të KFOR-it, të kryesuar nga NATO, dhe misionin e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë presidenti Thaçi.

Mësimi i parë i ditëve të menjëhershme të pasluftës, sipas presidentit Thaçi është çështja e refugjatëve, një sfidë e vështirë me të cilën po përballet sot kryesisht Europa.

“Me përfundimin e luftës dhe vendosjen e paqes, rreth një milion njerëz nuk pritën as UNHCR-në, as ndonjë agjenci tjetër, por u kthyen vet në shtëpitë e tyre. Nuk i pengonte fakti që i kishin shtëpitë e shkatërruara, që ekonomia ishte e rrënuar, që institucionet e shtetit duheshin rindërtuar nga zeroja. Me rëndësi ishte fakti që kishin paqe dhe garancinë për siguri dhe stabilitetit, falë NATO-s. Edhe sot, kur shohim valën e refugjatëve, duhet të angazhohemi që të krijojmë paqe dhe stabilitet për ta”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, ata nuk dëshirojnë asgjë më shumë sesa të kthehen në shtëpitë e tyre, të kenë paqe e stabilitet, sepse shtëpitë e shkatërruara, shtetin e shkatërruar do ta ndërtojnë përsëri, siç kanë bërë edhe në Kosovë.

Duke u ndalur më pas te nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në të para një viti, Thaçi u shpreh se kjo erdhi “si rezultat i reformave të shpejta dhe të suksesshme në instalimin e rendit dhe ligjit, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në shtrimin e bazave të një ekonomie të lirë”.

Sa për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme dhe kërkon që dialogu të rritet në një nivel dhe cilësi tjetër.

“Jemi të gatshëm për një proces të mirëfilltë bashkëpunimi, marrëdhëniesh miqësore dhe pajtimit. Nuk kemi pasur asnjëherë rast më të mirë, si Kosovë, në Serbi apo në rajon, sesa muajt në vijim, që të vëmë në binarë të sigurtë bashkëpunimin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi. Sipas tij, falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunim, sot marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë më kërcënim për stabilitetin në rajon, por janë shembull i fuqisë se, nëpërmjet dialogut mund të shohim drejt së ardhmes më të mirë për të gjithë.

Presidenti Thaçi është shprehur se ndihet krenar edhe për sukseset në konsolidimin e brendshëm të Kosovës, teksa thoshte se “kemi ndërtuar institucione shumetnike, në të cilat janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

“Me frymën e bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë për Kosovën po punojmë edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Ushtisë së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përvoja që kemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës na bën të jemi optimistë për këtë ambicie”, ka thënë presidenti Thaçi.

Forca e Armatosur e Kosovës, sipas presidentit Thaçi do të jetë një hap tjetër i madh në rrugën e këtij vendi drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE.

“E kuptojmë se, sot BE-ja nuk e ka mendjen te zgjerimi. Kriza financiare, vala e refugjatëve dhe BREXIT janë tema që kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor. Por, vonesa e BE-së dhe e NATO-s që të afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lërë thjesht një boshllëk. Ideologji të tjera, nga kontinente të tjera dhe me agjenda të tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Ata mezi presin të mbushin boshllëkun që do të lërë vonesa e BE-së dhe NATO-s”, ka thënë presidenti Thaçi.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel