Kosovë, për transformimin e FSK-së në ushtri nevojitet përkrahja e Francës

21/10/2016 00:00

Mbështetja dhe përkrahja e Francës për Kosovën në drejtim të ndërtimit dhe funksionalizimit të sektorit të sigurisë, me theks të veçantë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është mëse i nevojshëm, nëpërmjet mekanizmave të fuqishëm që posedon aktualisht Franca, kudo në organizatat me peshë të organizimave europiane e më gjerë.

Kështu është shprehur ministri kosovar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, gjatë takimit me ambasadorin e ri në detyrë të Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, Didier Chabert.

Demolli ka çmuar lart kontributin e kontingjentit të Francës në kuadër të KFOR-it, por edhe interesimin dhe angazhimin që ka treguar Franca, si njëra ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e vendit.

Ministri Demolli i shprehu gjithashtu ambasadorit francez interesimin e Kosovës dhe MFSK-së që të lancohet dhe zhvillohet procesi për formatizimin e bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Francës, me memorandum bashkëpunimi, sikurse MFSK-ja ka vepruar me 12 shtete anëtare të NATO-s dhe vende të tjera, siç janë Britania e Madhe, Ioëa (SHBA), Gjermania, Hungaria, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj.

Nga ana e tij, ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert u shpreh jashtëzakonisht i interesuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe për përkrahjen e tij në aktivitetet dhe planet në të ardhmen. Ai tha se, sikurse e kemi njohur pavarësinë e Kosovës si një ndër shtetet e para, ashtu do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në zhvillimin e saj demokratik e të qëndrueshëm.

Kjo është vizita e parë që Didier Chabert, ambasador i Francës, zhvillon në detyrën e shefit të misionit diplomatik.

Top Channel