Agolli “rrëfen” Dritëroin: Ja poezia ime e parë

13/10/2016 00:00

Në 85-vjetorin e tij të lindjes, në një intervistë për Top Channel, shkrimtari Dritëro Agolli rrëfen si e nisi krijimtarinë e tij artistike.

“Kur isha në klasën e shtatë shkruajta vjershën time të parë që titullohej ‘Vullnetari’, sepse ishim vullnetarët e hekurudhës. Mendova ta dërgoja te ‘Zëri i Rinisë’ dhe e dërgova me një zarf në Tiranë. Ajo u botua”, shprehet shkrimtari.

Krenar për prejardhjen e tij, Agolli thotë me humor se, në atë kohë e kishte të vështirë të besonte që do të bëhej dikush në fushën e letrave shqipe, ndërsa zbulon se lexuesi e kritiku i tij i parë ishte babai.

“Ajo ishte vjersha ime e parë, ndërsa im atë ishte kritiku i parë. Bashkëfshatarët thonin se unë do të bëhesha si Naimi, por Naimi me Dritëroin ishin larg si Menkulasi me Tiranën. Babai e pa vjershën time të botuar dhe e preu gazetën, e vuri në kutinë e cigareve”, thotë më tej Dritëro Agolli.

Krijimtaria popullore është rrënjosur aq thellë tek autori, i cili edhe sot, në gjendje jo fort të mirë shëndetësore, nuk e fsheh entuaziazmin e vjershave që e frymëzuan të shkruajë.

“Ç’ka që zverdh bari në qafë, nga lotët që derdhnin gratë. Kjo është krijimtaria e popullit, që unë po të mos e kisha mësuar, nuk besoj të isha bërë njeriu i letrave të kultivuara”, shprehet legjenda e letrave shqipe.

Krahas krijimtarisë artistike, paralel me Agollin ka ecur edhe angazhimi politik, për të cilin tregon edhe arsyen e shkëputjes.

“Njeriu nuk del kurrë nga politika. Do të marrë pjesë në politikë, por nuk duhet të jetë drejtues, jo deputet. Njeriu është kafshë politike, thonë grekërit e lashtë”, thotë Agolli.

Plot 25 vite pas Kongresit të X të Partisë së Punës, kur bëri kthesën më të madhe në karrierën e tij politike, duke thënë të vërtetën me zë të lartë, Agolli vijon të ketë të njëjtin mendim.

“Do të vijnë në të gjitha fushat e jetës, siç kanë ardhur brez pas brezi edhe të tjerë. Vetëm të vërtetën nuk mund ta konservosh si një kuti peshku. Ajo do të dalë nga ky konservim, do apo nuk do ti!”, mbyll intervistën 85-vjeçari Dritëro Agolli.

Top Channel