Tentojnë të vjedhin me armë, dy në pranga

10/10/2016 00:00

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona për vjedhje me dhunë ndërsa ka shpallur në kërkim dy të tjerë.

Sipas burimeve zyrtare, Erland Markola dhe Amarildo Koçeku, rreth orës 00.35 të së dielës i kanë bërë pritë Shpëtim T., ku dyshohet se Koçeku i ka drejtuar armën. Në atë moment drejtuesi i mjetit i ka dhënë gaz makinës dhe ka përplasur Amarildo Koçekun.

Nga situata e krijuar ka ndërhyrë nipi i Shpëtim T., K. T., 17 vjeç, i cili ka marrë në shtëpi një automatik dhe dyshohet të ketë qëlluar në drejtim të Erland Markolës dhe Amarildo Koçekut, ku për pasojë ka mbetur i plagosur ky i fundit, i cili ndodhet në S.Q.U. jashtë rrezikut për jetën.

Por ngjarja nuk përfundon këtu. Koçeku dhe Markola dyshohet se më herët kanë tentuar të kryejnë një tjetër vjedhje me dhunë. Një 21-vjeçar ka bërë kallzim se rreth orës 23.00 të së shtunës në rrugën “Bedri Karapici” dy persona kanë dalë nga një mjeti tip Benz dhe i kanë drejtuar pistoletën. Nga përshkrimi i personave dhe njohja me anë të fotos, dyshohet se një nga dy autorët është Erland Markola.

Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjaries janë sekuestruar 4 gëzhoja arme zjarri model 56, një automjet tip “Volksëagen” (në pronësi të Shpëtim T.) Gjithashtu, po punohet për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim si dhe gjetjen e armëve të dyshuara të përdoruara në këtë ngjarie.

Top Channel