Kostoja e një invalidi të dëmtuar në rrugë, deri në 50 mijë lekë në muaj

02/10/2016 00:00

Nëse trajtimi mjekësor i një të aksidentuari në spital kushton 30 mijë deri në 70 mijë lekë në ditë, ai trajtohet me pagesë mesatarisht 50 mijë lekë në muaj nëse mbetet invalid nga aksidenti.

Këtë tregon dhe Agim Marqeshi, dikur mësues në Librazhd, ndërsa sot vuan ende pasojat e një aksidenti në rrugë teksa ishte nisur për në punë.

“Shoferi, padashje gaboi rëndë dhe, në fshatin Xyrë të Librazhdit makina ka devijuar nga rruga dhe kemi rënë në lumin Shkumbin. Një distancë shumë e madhe, rreth 300 metra, ndërsa unë kam dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore. Për këtë arsye nuk mundem të eci”, thotë Agim Marqeshi.

Marqeshi është paraplegjik i gradës së rëndë, pasi lëviz vetëm me karrocë. Ndonëse e merr pagesën e invaliditetit, atë të kujdestarisë, të karburantit, ai është kryefamiljar dhe duhet t’i bëjë ballë të gjitha shpenzimeve të familjes.

“Njerëzit në karrocë harxhojnë shumë. Edhe për higjienë harxhojmë shumë. Unë thjesht mbijetoj, asgjë më shumë”, tha më tej ai.

Marqeshi banon në konviktet e Univeristetit Bujqësor në Kamëz, por bashkë me të tjerë OSHEE u ka prerë dritat për shkak të borxheve.

“Unë rri më mirë me vetëm një vakt bukë, e të shoh njëherë lajmet, apo një ndeshje futbolli. Por s’kam drita në shtëpi, sepse kemi borxhe ndaj OSHEE-së të them të drejtën”, deklaroi ai.

Edhe pse të pamjaftueshme për të përballuar jetën, këtë pagesë e përfitojnë mbi 62 mijë persona në Shqipëri.

“Pagesa e tyre është në varësi të viteve të punës dhe kontributit të tyre, në varësi të moshës që kanë, pagës që kanë pasur. Për invalidët mund të shkojë edhe mbi 30 mijë lekë, por gjithmonë jo më pak se 15 mijë lekë. Ata nuk kanë taksa të drejtpërdrejta nga bashkitë, një shumë të diferencuar nga 4.000 lekë 2.200 lekë”, u shpreh Astrit Kuka, drejtor i Sigurimeve Shoqërore dhe Pagave.

Kjo për një të aksidentuar që ka qenë më parë në punë, pasi për një të aksidentuar të papunë pagesa përcaktohet nga grada e dëmtimit dhe varion nga 10 mijë lekë për paaftësinë dhe 10 mijë lekë për kujdestarinë.

Përveç kostove financiare të shtetit, koston më të madhe e ka familja, që veç dhimbjes, humbet të ardhurat financiare që do të siguronte familjari në gjendje të mirë shëndetësore.

Top Channel