Diplomat në një regjistër, Nikolla: Do listohet çdo universitet

27/09/2016 00:00

Ministria e Arsimit do të krijojë një bazë të dhënash digjitale ku do të grumbullohet i gjithë informacioni i hollësishëm i institucioneve të arsimit të lartë si përsa i përket numrit të studentëve, diplomave që lëshohen për ta, numri i stafit akademik për çdo shkollë të lartë e të tjera.

Në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë, çdo universitet publik dhe jopublik ka për detyrë të bëjë raportime vjetore mbi këto të dhëna.

“Parashikon administrimin e centralizuar të regjistrit kombëtar përmes krijimit të një agjencie kombëtare duke ofruar kështu një instrument dhe një bazë unike të dhënash për institucionet e arsimit të lartë lidhur me programet e studimit, diplomat dhe certifikatat që lëshojnë. Ky është një instrument i fuqishëm për të garantuar transparencë dhe për të garantuar vërtetësinë e të dhënave gjatë kontrollit të tyre”, deklaroi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Deri më tani universitetet jopublike kanë lëshuar diploma të panumërta, madje me studentë që regjistroheshin në fund të vitit.

Për të ndërtuar këtë regjistër kombëtar të arsimit të lartë, sipas ministres së Arsimit, janë duke u parë përvojat më të mira në vende të tjera.

Top Channel