Fjalimi, Hollande: Demokracia jonë do ta mposhtë barbarizmin

08/09/2016 00:00

Presidenti francez, Francois Hollande i ka dalë fuqishëm në mbrojtje luftës së vendit të tij kundër terrorizmit, duke këmbëngulur se Franca do t’i mposhtë armiqtë e saj, sepse demokracia triumfon gjithnjë. Edhe pse pranoi se lufta kundër “terroristëve të Daesh-it” (siç njihet ndryshe Shteti Islamik në gjuhën arabe) do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ata do të përndiqen deri në asgjësim.

Hollande ka folur pas sulmeve terroriste vdekjeprurëse në Rouen dhe Nicë, ndërkohë që frikë pati për një tjetër sulm të tillë gjatë kësaj jave në qendër të Parisit. Policia arrestoi dy çifte, pasi një automjet “Peugeot 607” u gjet i mbushur me bombola gazi pranë Katedrales “Notre Dame” ditën e diel.

Dritat e bllokazhit të automjetit ishin të ndezura, ndërsa brenda tij u gjetën edhe shënime në arabisht, edhe pse zyrtarët theksuan se nuk u gjet asnjë pajisje aktivizuese për shpërthim brenda tij.

Çifti i parë, që thuhet se ka pasur lidhje të njohura me xhihadistët, u arrestuan pranë një komisariati në jug të Francës. Një tjetër çift u kap në rajonin Loiret, në jug të Parisit, gjatë pasdites së vonë të së mërkurës.

Të dy çiftet thuhet se vinin nga qyteti Montargis. Pronari i automjetit u mor në pyetje nga policia dhe më pas u la i lirë, ndërsa efektivët antiterror janë vënë në kërkim të vajzës së tij 19-vjeçare, e cila përshkruhet si një adoleshente e radikalizuar.

Gjatë fjalimit të gjatë të së enjtes, Presidenti Hollande tha se është detyrë e të gjithë francezëve, myslimanë apo jo, që të luftojnë Islamin radikal. Ai më pas doli në mbrojtje të ndarjes laike strike të shtetit nga feja. “Asgjë në idenë e laicizmit nuk kundërshton praktikimin e Islamit në Francë, me kushtin që të respektohet ligji”.

Fjalimi i kreut të “Elizesë” u ndoq me vëmendje edhe nga komentatorët politikë, të cilët thanë se Hollande dha edhe sinjalin më të fuqishëm deri më tani se planifikon të garojë për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Edhe pse ai pritet gjerësisht të garojë, niveli i mbështetjes për Hollande ka rënë aq shumë, saqë sondazhet sugjerojnë se jo më pak se 9 ndër 10 francezë nuk e dëshirojnë më kandidaturën e tij.

Komentatorët theksuan se fjalimi i tij përfshinte edhe një seri sulmesh ndaj republikanëve të qendrës së djathtë, në veçanti ndaj ish-presidentit Nicolas Sarkozy, i cili garon për t’u bërë kandidat i republikanëve në zgjedhjet e 2017-s.

Edhe pse nuk e përmendi atë në emër, Hollande kritikoi një deklaratë të bërë nga Sarkozy pas vrasjes së priftit në Rouen, si dhe 86 personave në qytetin bregdetar të Nicës gjatë korrikut. Sarkozy bëri thirrje në atë kohë për masa të ashpra, duke u ankuar se “detajet ligjore, masat parandaluese dhe justifikimet për masat me gjysmëzemër janë të patolerueshme”.

Në fjalimin e tij, Presidenti Hollande argumentoi se parimet kushtetuese si liria e shprehjes, lëvizjes dhe besimit nuk janë “detaje ligjore”. Dhe në një referim jo të drejtpërdrejtë ndaj problemeve ligjore të vet Sarkozysë, ai bëri një pyetje: Po e konsideron vetveten të pafajshëm? Kjo është shumë e dobishme kur të duhet të mbrosh vetveten”.

Prokurorët, nga ana tjetër, kanë thënë se Sarkozy duhet të përballet me gjyqin për shkelje të kufijve të shpenzimeve gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012.

Top Channel