Britania e Madhe u bë Anglia e Vogël pas Brexit, një vend që ka negociuar me veten për dhjetë vjet
Dy ushtarë turq kanë mbetur të vrarë nga përplasjet me militantë të grupit të të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri. Lajmi konfirmohet nga ushtria turke, e cila shton gjithashtu se 5 të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketë ndaj tankeve turke.
Viktimat në radhët e ushtrisë turke besohet të jenë të parat, që prej nisjes së operacioneve brenda territorit sirian nga ana e Turqisë. Ndërkohë, dy luftëtarë nga “Ushtria e Lirë Siriane” janë vrarë, ndërsa dy të tjerë janë plagosur nga i njëjti sulm.
“Dy prej ushtarakëve tanë heronj janë martirizuar, ndërsa 5 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketë ndaj dy tankeve tona, nga elementë terroristë të ‘Daesh’-it”, thuhet në komunikatën e ushtrisë turke, ndërsa me “Daesh” i referohen ndryshe Shtetit Islamik.
Sulmi me raketë u krye pranë fshatit al-Waqf, thuhet më tej në deklaratën e ushtrisë.
Rebelët sirianë, të mbështetur nga Turqia, kanë bërë të ditur se kanë shtënë në duart e tyre një numër fshatrash nga militantët xhihadistë, që kur Turqia nisi operacionin e saj të koduar me emrin “Mburoja e Eufratit”. Rebelët kanë marrë gjithashtu edhe kontrollin e qytetit të rëndësishëm kufitar të Jarabulusit.
Të dielën, Turqia tha se luftëtarët e ISIS-it ishin zmbrapsur nga pozicionet e fundit që mbanin përgjatë kufirit turko-sirian. Forcat turke kanë shënjestruar ISIS-in brenda territorit sirian, por kanë sulmuar edhe luftëtarët kurdë në të njëjtin rajon.
Përndjekja e milicive kurdë “YPG” ka shkaktuar kritika nga Uashingtoni, i cili i konsideron kurdët si një prej forcave më efektive në betejën kundër Shtetit Islamik.
Top Channel