Cilat janë shërbimet sekrete më të forta në botë? Zbulohet renditja pas analizës së 60 ekspertëve
Kandidatja demokrate në Presidencialet amerikane, Hillary Clinton deklaroi të hënën se nuk do të pranonte ftesën e presidentit meksikan, Enrique Pena Nieto, për një vizitë në vendin fqinj, pasi rivali i saj Donald Trump krijoi atë që ajo e quajti “një incident diplomatik” gjatë vizitës së tij në Meksikë.
Në një ekstrakt të intervistës së dhënë për “ABC News”, Clinton është shprehur me një “Jo” të prerë, kur u pyet nëse do të udhëtonte drejt Meksikës përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit, pa dhënë shpjegime të mëtejshme. Edhe drejtuesit e fushatës së saj konfirmuan më pas vendimin e saj.
“Ne e kuptojmë dhe e respektojmë vendimin e saj për të propozuar kohën e zhvillimit të takimit”, tha ministrja e Jashtme meksikane, Claudia Ruiz Massieu, në një status të sajin në “Twitter”, duke shtuar se kontaktet me drejtuesit e fushatës së Clintonit janë të vazhdueshme.
Pena Nieto u kishte bërë ftesa të dy kandidatëve presidencialë gjatë muajit të kaluar, ndërsa Trump iu përgjigj pozitivisht duke udhëtuar drejt Mexico Cityt të mërkurën e kaluar, në një takim që u duk se do të ishte miqësor, por më pas shpalosi sërish tensionet e thella mes dy vendeve.
Trump, kandidati zyrtar i republikanëve për Shtëpinë e Bardhë, është kritikuar ashpër në Meksikë, pasi ka thënë se prej këtij vendi kishin hyrë në SHBA shumë përdhunues dhe trafikantë droge. Ai bëri sërish thirrje për ndërtimin e një muri në kufi, për të cilin do të paguanin meksikanët.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Pena Nieton, Trump tha se ata nuk kishin diskutuar se cilët do të paguanin për murin. Pena Nieto mbeti sërish i heshtur pas kësaj çështjeje gjatë asaj konference, por më pas, përmes “Twitter”-it tha se ai e kishte bërë të qartë se Meksika nuk do të paguante asgjë për ndërtimin e atij muri.
“Ai erdhi të thoshte diçka, ndërsa presidenti meksikan e kundërshtoi atë thuajse menjëherë”, thotë Clinton, ish-Sekretare amerikane e Shtetit, në intervistën për amerikanen “ABC”. “Ai as nuk e ngriti atë çështje për diskutim, por thjesht bëri diçka asfiksuese. Ai nuk di madje as të komunikojë në mënyrë efektive me një kryetar shteti. Ndaj dhe besoj se është plotësisht i qartë rezultati i atij takimi”, shton ajo.
Top Channel