“Xhungla” në Calais, protestë kundër emigrantëve

05/09/2016 09:20

Mijëra protestues do të bllokojnë rrugët kryesore e do të krijojnë një zinxhir njerëzor në rrugën për në portin e qytetit francez të Calais, për të kërkuar mbylljen e kampit të emigrantëve, i njohur me nofkën “Xhungla”.

Mbi 7 mijë persona jetojnë atje në kushte të tmerrshme, e shumë prej tyre përpiqen të sigurojnë ndonjë mundësi udhëtimi drejt Britanisë. Sipas protestuesve, kampi dëmton qytetin dhe shkakton kaos në port. Kjo do të jetë protesta më e madhe e zhvilluar nga vendasit lidhur me çështjen. Kryebashkiakja e Calais, Natacha Bouchart, ka planifikuar t’i bashkohet manifestimit, pasi thotë se situata po bëhet e papërballueshme.

Ata që jetojnë në kamp, kryesisht nga Lindja e Mesme, Afganistani dhe Afrika, shpresojnë të kalojnë kanalin e La Manshit, shpesh duke përdorur trafikantë për të hyrë ilegalisht në Britani.

Më herët gjatë vitit, autoritetet shkatërruan barakat në kamp në përpjekjen për ta mbyllur atë dhe sipas ministrit të Brendshëm, Bernard Kaznev qeveria nuk ka hequr dorë nga plani. Javën e kaluar, Britania e Madhe dhe Franca u zotuan të punonin së bashku për rritjen e sigurisë në portin e Calais, përmirësimin e situatës humanitare për mijëra të pastrehë dhe rikthimin në atdhe të emigrantëve të paligjshëm, të cilët do të gjykohen se nuk kanë nevojë për mbrojtje. Pak ditë më vonë, aktivistët thanë se kishin identifikuar afërsisht 400 fëmijë të pashoqëruar në kampe, të cilët i plotësonin kushtet për të vazhduar udhëtimin drejt Britanisë.

Ata i bënë thirrje Londrës t’i pranojë ato, ndërsa kjo e fundit është zotuar t’u ofrojë strehë 150 fëmijëve në vitin 2016.

Top Channel