Gjermani, sprova e parë e Merkelit përballë “AfD”-së

04/09/2016 00:00

Votuesit e një shteti verilindor të Gjermanisë u janë drejtuar qendrave të votimit në zgjedhjet që cilësohen si një test për politikat e Kancelares Angela Merkel kundrejt emigrantëve dhe refugjatëve.

Partia tjetër antiemigracon dhe kundër Islamit, “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) mund të sigurojë më shumë vota sesa “CDU”-ja e Merkelit në Mecklenburg-West Pomerania. E nëse kjo ndodh, “zonja e hekurt” e Gjermanisë do të dobësohej ndjeshëm përpara zgjedhjeve kombëtare të vitit të ardhshëm.

Gjithsesi, të gjitha partitë e tjera të Gjermanisë kanë përjashtuar mundësinë e formimit të një koalicioni qeverisës me “AfD”-në. Me këtë nënkuptohet se kjo parti e ka të pamundur të krijojë një qeveri, qoftë edhe lokale, në shtetin ku po zhvillohen zgjedhjet. Megjithatë, ashtu si në zgjedhjet e fundit rajonale të vitit të kaluar, edhe sot kjo parti mund të sigurojë një fitore.

Mecklenburg-West Pomerania, pjesë e ish-Gjermanisë Lindore, është shteti ku bazohet edhe elektorati më i madh i Kancelares Merkel. Sondazhet tregojnë se kristiandemokratët e saj “CDU” janë prapa “AfD”-së, ndaj dhe Merkeli u tha votuesve në këtë shtet se “do të jetë një garë e ashpër, e për këtë arsye çdo votë ka rëndësi”.

Një prej sondazheve tregoi se socialdemokratët e qendrës së majtë janë të parët me 28 për qind, ndërsa “AfD”-ja renditet e dyta me 23 për qind, duke lënë pas “CDU”-në me 20 për qind. “Alternativa për Gjermaninë besohet se po tërheq votues të shumtë, por jo nga partia CDU e qendrës së djathtë.

Gjermania është një prej vendeve që pranoi numrin më të madh të refugjatëve dhe emigrantëve, plot 1.1 milionë gjatë vitit të kaluar, ndaj dhe ndjenjat antiemigracion janë shtuar së tepërmi. “AfD”-ja, dikur një parti antieuropiane, tashmë është bërë edhe zëri më i kumbueshëm i votuesve të frustruar nga politika e kancelares për mirëpritjen e emigrantëve apo refugjatëve. Slogani i “AfD”-së është “Le t’i japim fund kaosit të azilantëve”.

Top Channel