Nënë Tereza, krenarë edhe në Kalkuta

03/09/2016 00:00

E kanë quajtur shenjtorja e të varfërve, bamirësja e madhe, misionarja që tregoi se dashurinë dhe mirësinë e meritojnë të gjithë njëlloj, por disa e konsiderojnë edhe si “ndërgjegjien e Kalkutës”, qytetit të saj të adoptuar.

Në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, rrugëve të tij, gezimi dhe dashuria për murgeshën katolike që ja kushtoi jetën të varferve dhe atyre që ishin duke vdekur rrugëve të tij, janë thuajse të prekshme. Në Kalkutë po mbahen lutje, evente kulturore e takime të ndryshme ku diskutohet jeta dhe vepra e saj, ndonëse nuk është planifikuar ndonjë ceremoni madhore në një kohë kur sytë e të gjithëve do të jenë të mbërthyer në Sheshin e Pjetrit në Romë. Shumë banorë ndihen krenarë për ngritjen e Nënë Terezës në nivelin e shenjtorit.

“Ajo jetoi këtu, ne jetojmë këtu, ndaj statusi që po i jepet tani na bën shumë krenarë e të lumtur. Është kënaqësi e madhe të dëgjosh se do të bëhet shenjtore”, thotë një banor i Kalkutës.

Pramod Sharma u rrit duke e parë Nënë Terezën dhe veprat e saj të bamirësisë në një shkollë dhe një qendër kujdesi për fëmijët pranë shtëpisë së saj në Kalkuta. Shenjtërimi i misionares është një çështje nderi për vendin që zgjodhi ta kthente në shtëpinë e saj.

“Po bëhet shenjtore dhe kjo është vërtet një gjë e madhe. Është diçka që të shtyn të ndjesh një krenari të thellë dhe kjo vlen për të gjithë Indinë, sepse këtu jetoi. Ajo do të jetë përjetë në zemrat e indianëve”, thotë Pramod.
 
Sunita Kumar, artiste dhe zëdhënëse e misionarëve të bamirësisë thotë se ky shenjtërim është përmbushja e një endrre për miliona njerëz që e mendojnë si ajo.

“Është një ëndërr që bëhet realitet. Jam shumë e prekur sepse po arrij ta shoh shenjtërimin e saj, sepse e di që procedura të tilla zgjasin shumë e kanonizimi mund të kërkojë edhe një shekull”, shprehet ajo.
 
Për Kumarin, Nënë Tereza ishte mbi fenë. Po të ishte përqendruar vetëm tek konvertimi, siç pretendojnë disa, thotë artistja, ta keni të qartë që sot e gjithë India mund të kishte qenë e krishterë.

Top Channel