Edhe fëmijët “down” në kopësht

23/08/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur pilotimin e një projekti për krijimin e hapësirave në kopshte edhe për fëmijët me aftësi të veçanta. Kopshti numër 31, i cili sapo ka përfunduar së rikonstruktuari, ofron kushte edhe për fëmijët e vegjël të kësaj kategorie.

“Për herë të parë po fusim një shërbim për fëmijët me aftësi të veçanta, ndaj partneriteti me “Down Syndrome Albania” është një mënyrë fantastike për të futur disa shërbime shtesë, që nuk ia rrisin koston kopshtit, por që mbulohen nga partnerët për engjëjt tanë që janë me nevoja speciale dhe të veçanta. Besoj që pavarësisht rrethanave, të gjithë jemi me nevoja speciale, thjesht disa prej engjëjve të vegjël kanë nevojë për pak më shumë ndihmë”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
 
Në kopshtin 31, në bashkëpunim me donatorët, janë mundësuar punimet e brendshme të cilat konsistojnë në suvatim, shtrim pllakash, shtrim laminat, si dhe të gjithë instalimet elektrike dhe hidraulike. Gjithashtu, është sistemuar hapësira e gjelbër, si dhe është ndërtuar këndi i  lojërave për ta.

“Ky është kopshti i fundit i njësisë, i gjashti në radhë. Sot të gjitha kopshtet e Njësisë 5 janë të rikonstruktuara, falë një ndërmjetësimi shumë të fortë nga ana e Bashkisë së Tiranës me donatorët dhe një pune shumë të mirë të drejtorisë përkatëse të bashkisë. Mendoj se stafet janë duke bërë një punë të mrekullueshme dhe gjërat që duken nuk kanë nevojë për koment”, tha deputeti Majko.

Top Channel