E majta ‘show’ uniteti në Dibër, LSI dhe PDIU me PS

23/08/2016 00:00

Mazhoranca ishte me e bashkuar se ndonjëherë më parë në takimin e prezantimit të kandidatit për Bashkinë e Dibrës, Muharrem Rama. LSI e PDIU mbështetën me forcë kandidatin socialist, por ky unitet ka edhe një kusht për kryeministrin Rama. Kushti është ndërtimi i Rrugës së Arbërit. Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi ishte i pari që shtroi pyetjen e drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit.

“Zoti Kryeministër, sot, a u lodhe me këtë rrugë apo jo? Ti sot erdhe dhe është gjithë ajo rrugë, po ky popull që e bën përditë këtë rrugë?!”, u shpreh deputeti Aqif Rakipi.

“Zoti Kryeministër, ndërtojë Rrugën e Arbërit sepse është një nder që e meriton Dibra”, bëri thirrje Luan Rama nga LSI.

Pavarësisht se i përjashtuar nga grupi parlamentar i LSI-së, Përparim Spahiu përdori në fjalën e tij gjithmonë përemrin vetor shumës “Ne”, duke dhënë mbështjen e ndaj doktor Muharem Ramës.

“Unë them që nuk ka nevojë të prezantohet doktori në Peshkopi, por ne si koalicion në Dibër, që jemi përsëri bashkë për të vazhduar Aleancën për Shqipërinë Europiane”, tha deputeti Spahiu.

Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, i kritikuar se nuk bëri sa duhej për projektin e Rrugës së Arbërit, foli në këtë takim elektoral duke u shprehur i bindur se rruga do të ndërtohet.

“Edhe për Kryeministrin kam një falenderim edhe më të madh për mbështetjen edhe më të madhe që do t’i japë Dibrës në të ardhmen e afërt”, deklaroi Shkëlqim Cani.

Kryemistri Rama përdori shprehjet dibranë për të siguruar të gjithë se nuk do të largohej nga detyra pa mbaruar Rrugën e Arbërit.

“Unë e kam premtuar por akoma nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Kam barrën që të bëj gjëra që dëshirojnë të gjithë partnerët e koalicionit. Kjo është detyra ime! Unë nuk ankohem për këtë detyrë sepse e kam marrë me dëshirë të madhe dhe vullnet të madh, por po them këtu që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit pa bërë Rrugën e Arbërit”, premtoi Kryeministri Edi Rama.

Por ajo që nuk saktësoi ai ishte nëse ky projekt do të mbyllet brenda mandatit aktual qeverisës të 2017-ës, apo atij pasues deri në 2021-in? Ajo që nuk u përmend në këtë takim është arsyeja se përse Dibra po shkon në zgjedhje të parakohëshme. Asnjë nga ata që shprehën mbështetjen për kandidatin socialist, Muharem Rama nuk e përmendi emrin e ish-kryebashkiakut, Shukri Xhelili.

Top Channel