ISIS merr përgjegjësinë e sulmit terrorist në Moskë

19/08/2016 00:00

Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë e një sulmi jashtë stacionit policor të Moskës, ku mbetën të vrarë vetëm 2 militantët, ndërsa 2 policë u plagosën, njëri prej tyre në gjendje të rëndë.

Në një video të publikuar në faqen e tyre zyrtare të “Amaq”, terroristët thanë se kjo ishte hakmarrja e tyre ndaj Rusisë që vazhdimisht po ndërmerr sulme kundër myslimanëve në Lindjen e Mesme.

“Ne po vazhdojmë rrugën e xhihadit, po zbatojmë urdhrat e liderit tonë Abu Bakr al-Baghdadi. Emri i sulmit tonë në Moske është “operacioni i hakmarrjes”. Hakmarrje për të gjithë ju që bombardoni vëllezërit tanë në Siri dhe Irak”, thonë militantët e ISIS në video.

Por, ata paralajmërojnë se nuk do të ndalen me kaq. “Rusi ky është vetëm fillimi”, kërcënojnë ata.

Edhe një muaj më parë Shteti Islamik postoi një video në “Youtube” ku thuhej se Rusinë nuk e presin ditë të mira. Por për Kremlinin nuk e ndryshon aspak vendimin e tyre për të luftuar terrorizmin në Lindjen e Mesme. Prej vitit të kaluar, Rusia i ka bombarduar militantët në Siri, në kuadër të fushatës mbështetëse ndaj presidentit Bashar Al Assad.

Top Channel