Ishujt e kontestuar, tensione mes Japonisë e Kinës

16/08/2016 00:00

Autoritetet japoneze publikuan pamjet e dhjetëra anijeve kineze, peshkimi dhe ushtarake, që kanë lundruar në ujërat e ishujve për të cilët ekziston një kontradiktë e fortë mes Pekinit dhe Tokios.

Pamjet u filmuan nga roja bregdetare japoneze, e cila me shumë pak anije u përpoq që t’u zinte rrugën flotës masive kineze e përbërë nga 28 anije qeveritare dhe 72 anije peshkimi. Tensioni mes dy vendeve është rritur ndjeshëm që pas shtimit të numrit të anijeve kineze në afërsi të ishujve që njihen me emrin Senkaku në Japoni dhe Diaou në Kinë.

Pamjet tregojnë qartë tensionin e prekshëm në det, që shumë analistë paralajmërojnë se mund të shndërrohet në një incident të rëndë. Problemet janë shtuar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare që hodhi poshtë pretendimet e Kinës, e cila nuk e pranon këtë gjykim dhe ka shtuar aktivitetin e saj pas tij.

Zyrtarisht, Tokio dhe Pekini trumpetojnë përpjekjet për zgjidhje diplomatike, por mesazhi duket se nuk u ka shkuar anijeve në det që përballje të tilla shohin çdo ditë. Deri tani është shmangur mjeshtërisht nga detarët çdolloj përballje, por aty ku tensioni është i lartë dhe gjakrat janë të ndezur, gjithçka mund të ndodhë.

Situata është përkeqësuar më shumë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare kundër Kinës, të cilës i është kërkuar ta respektojë, ndërsa Pekini i përgjigjet me forcë rivalëve në rajon që të mos ndërhyjnë në çështjet e saj të brendshme.

Top Channel