Parandalimi i aksidenteve, policia nxjerr ekspertët në terren

11/08/2016 00:00

Të gjithë specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë shpërndarë në drejtoritë dhe komisariatet e rretheve në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend dhe parandalimin e aksidenteve.

Burime pranë drejtorisë qendrore të policisë janë shprehur se këtë vit Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk është mjaftuar vetëm me shpërndarjen e planit të masave, por ka dërguar në terren të gjithë specialistët sipas sektorëve për të siguruar zbatimin me përpikmëri të planit të masave.

Në mënyrë të veçantë, prania e specialistëve është në zonat turistike, si ato bregdetare ashtu edhe ato malore. Këto masa janë përshkallëzuar më shumë pas aksidenteve tragjike të javës së parë të muajit gusht.

Për rrjedhojë, vetëm fundjavën e kaluar, policia rrugore ka arrestuar 25 drejtues mjetesh për mungesë të lejes së drejtimit dhe për përdorim të pijeve alkoolike, si dhe ka vendosur 4776 masa administrative, ku shumica e të cilave ka të bëjë me  mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe kaskës mbrojtëse, si dhe për tejkalim shpejtësie apo parakalime të gabuara.

Top Channel