Artistët Najada Hamza, Genc Permeti, Genc Mulliqi, Ardian Isufi dhe të tjerë evidentojnë krijimtarinë e tyre artistike përmes copëzave të punimeve, të cilat i prezantojnë për publikun në një ekspozitë të përbashkët çelur në kryeqytet.

Në mënyra të ndryshme, por duke përdorur të njëjtin medium, artistët prezantojnë një koleksion të rëndësishëm në ekspozitën “Pa temë”.

“Ka një lloj diversiteti brenda ditëve të nxehta të verës. Ka disa artistë dhe qëndrime që lidhen me peizazhin urban, disa artistë që janë grupuar nga Galeria duke pasur parasysh peizazhin që lidhet me ujin, me detin. Shumë artistë të tjerë që kanë disa persiatje nëpërmjet intimitetit dhe qëndrimit filozofik të tyre. Pra e shoh si një lloj asemblazhi qëndrimesh dhe idesh këtë ekspozitë”, thotë Ardian Isufi, artist dhe dekan i Universitetit të Arteve të Bukura.

Stinën e verës, Isufi e sjell edhe në kuadrot e tij, përmes së verdhës indiane dhe rërës, elementë që sjellin para publikut një panoramë të peizazhit ujor.

“Ka lidhje me rërën dhe atë lloj arkeologjie që ne gjejmë nëpërmjet guackave ose gurëve që herë pas herë, ne xhirot që ne bëjmë përgjatë detit i hulumtojmë dhe i pikasim si pjesë e kujtesës sonë, si pjesë e një kujtese që lidhet me disa aspekte dhe përvojës së jetës”, u shpreh më tej Isufi.

Ekspozita e përbashkët e artistëve do të qëndrojë e hapur deri në datën 11 shtator.

Top Channel