Emërimet në drejtësi, Nishani mbledh ekspertët

08/08/2016 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka marrë më shumë sesa një opinion nga juristët, me të cilët u konsultua për mënyrën sesi duhet të zbatojë një kompetencë të re kushtetuese pas miratimit të reformës në drejtësi.

Brenda datës 16 gusht, presidenti ka detyrimin të organizojë shortin për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por pikëpyetja është ngritur për shkak të mungesës së ligjit që detajon kriteret e kandidatëve.

Zyra e Presidentit nuk dha hollësi se çfarë qëndrimi mbajtën eskpertët, por Top Channel mësoi se ata janë ndarë pergjysmë.

Disa mendojnë se presidenti duhet ta zbatojë kompetencën qoftë edhe formalisht, duke u bazuar vetëm tek kriteri kushtetues i mospasjes së masës disiplinore, ndërsa gjysma tjetër i ka sugjeruar që të presë ligjin, përderisa Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk do të mund të kryejë asnjë veprim pa u zhvilluar më parë procesi i vettingut.

Të martën presidenti do të konsultohet me grupet parlamentare, por deri tani është konfirmuar vetëm pjesëmarrja e demokratëve.

Drejtuesit e grupit socialist janë me pushime, por megjithatë grupi më i madh parlamentar mund të japë qëndrimin e vetë me shkrim duke iu bashkuar qëndrimit zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë, që i sugjeron presidentit të presë miratimin e ligjit edhe për faktin se Këshilli i Emërimeve do të zgjidhet sërish në dhjetor për një mandat 1-vjeçar.

Top Channel