Çerekshekulli eksod. Anija “Vlora” u nis me mijëra shqiptarë drejt Italisë

08/08/2016 00:00

Sot është mbushur plot çerekshekulli, që kur anija “Vlora” u shkëput nga porti për të marrë me vete eksodin më të bujshëm në histori.

Në ndryshim nga ai biblik, që ka kuptimin e daljes, ky eksod ishte një ikje dhe u interpretua si i tillë. Shqiptarët e asaj kohe kërkonin “tokën e premtuar”.

Revista letrare “Poeteka” vjen në një numër qëndrese 40, për të sjellë atë që ka ikur dhe ka ardhur nga ky eksod.

“Fillimisht janë përjetuar si tragjedi. Pastaj njerëzit kanë përjetuar gëzimin e eksodeve, sepse po u kthehej mbrapsht në një formë shpërblimi, gjë që krijoi përfytyrimin e gabuar, se të ikurit për ne janë banka”, tha shkrimtari Arian Leka.

Eksodi i 8 gushtit dhe të tjerë që pasuan nuk ndikuan vetëm tek ekonomia. Ata që emigruan sollën edhe vlera në këtë vend.

“Pas gjithë këtyre viteve, të dy botët: ne që mbetëm dhe nuk njohëm eksodin e madh, por bëmë eksode të vogla, dhe ata që u larguan duke e braktisur krejtësisht atdheun, njësoj siç anija ‘Vlora’ u shkëput nga porti, kemi rënë në një mendim. Ne kemi mundur të bëjmë një vend më të zhvilluar, por jo një vend më të mirë. Jo një vend më të drejtë”, tha më tej Arian Leka.

20 mijë personat e 8 gushtit të çerekshekullit më parë kërkuan evoluimin dhe guxuan të parët për shpresën e një të ardhmeje më të mirë.

Top Channel