Basha: Lotët e maturantëve, rezultat i një pseudoreforme

07/08/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar për skemën e re të pranimit të studentëve nëpër universitete. Lulzim Basha thotë se reforma prodhoi padrejtësi dhe hodhi poshtë mundin e maturantëve.

“Drama dhe lotët e maturantëve sot janë rezultati i një pseudoreforme që ka rënë që në nisje. E pompoi me të madhe Edi Rama, por prodhoi padrejtësi. Mijëra 18-vjeçarë të prerë në besë, të cilët në vend që të ishin duke u bërë gati për momentin më të rëndësishëm të jetës, sot kanë një barrë tjetër nga Edi Rama, sepse janë lënë në rrugë, nuk e dinë ku do shkojnë. Shohin se mesatarja e tyre e shkëlqyer papritur përfundon në mesatare të ulët”, tha Basha.

Basha akuzoi se nuk ka transparencë, janë krijuar shtigje për të futur të njohur në shkollë të lartë, po abuzohet me kriteret e mesatares, që sipas tij, është “dera e hapur për një korrupsion masiv të trafikimit të vendeve në universitet”.

“Këto janë rezultatet dramatike të asaj që u nis keq që në fillim sepse qëllimi i Edi Ramës nuk ishin dhe nuk janë studentët, dija, auditori, por kapja e universitetit, kapja e rektorëve, nëpërmjet bordit të administrimit. Bordi i administrimit nuk është gjë tjetër veçse dora e zgjatur e Edi Ramës që ka marrë sot autonominë, financat, cdo burim universiteteve, vendos ku do shkojnë fondet, sundon rektorët e pedagogët”, u shpreh Basha.

Opozita e quan këtë një dramë kombëtare, por që e ka një zgjidhje.

“Shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Shpallja e plotë e listave, nga i pari maturant tek i fundit, transparencë totale, e menjëhershme, sot. Frenimi i regjistrimit dhe publikimi i kritereve”, deklaroi Basha.

Kreu i demokratëve kërkoi edhe përfshirjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit përmes një auditimi të plotë të procesit.

Top Channel