Operacioni i Policisë Kufitare, bllokohen mjetet në det

05/08/2016 00:00

Policia Kufitare ka nisur një operacion të gjerë në të gjithë vijën bregdetare të vendit për bllokimin e mjeteve lundruese që kanë mungesë dokumentacioni dhe që nuk respektojnë perimetrin e sigurisë në plazhe.

Vetëm gjatë orëve të mëngjesit së të premtes, Policia Kufitare ka bllokuar 7 mjete lundruese, nga të cilat një gomone dhe 6 motorë uji. Sipas policisë, motorët e ujit janë bllokuar kryesisht për shkelje të perimetrit të sigurisë në plazhe, ndërsa gomonia për mungesë të dokumentacionit të plotë.

Sakaq, që nga 1 qershori që ka nisur zbatimin plani i masave për sigurinë në plazhe, Policia Kufitare ka bllokuar 13 mjete lundruese, nga të cilat një skaf, dy gomone dhe 10 motorë uji.

Përveç verifikimit në det, Policia Kufitare u ka dërguar mbi 20 shkresa përfaqësuesve të pushtetit vendor, që të përcaktojnë perimetrin e sigurisë në plazhe si dhe korridoret ujore për mjetet e argëtimit.

Operacioni i Policisë Kufitare do të vijojë në të gjithë vijën bregdetare të vendit për të garantuar sigurinë e plazhistëve. Siguria në plazhe u kthye në çështje, pasi të mërkurën në plazhin e Himarës humbi jetën një turist rus në plazhin e Livadhit, i cili u godit nga një skaf i fuqishëm.

Top Channel