Ronaldo-Real, akord i “përjetshëm”. Rinovim deri në 2021-shin me 21 mln euro në sezon

04/08/2016 00:00

Në vitin 2021 do të jetë 36 vjeç dhe deri atëherë, kur edhe pritet të jetë në fund të karrierës së tij, Cristiano Ronaldo do të jetë ende duke luajtur me Realin e Madridit.

Tratativa për rinovimin e kontratës së tij kishte nisur prej muajsh, por tashmë duket se kemi mbërritur në një moment kur mund të konsiderohet një akord “i përfunduar tërësisht”, të paktën nga shtypi spanjoll.

Sipas asaj që bën të ditur spanjollja “AS”, në ditët në vijim agjenti Jorge Mendez, një prej më të suksesshmëve në rolin e tij, do të mbërrijë në Madrid për t’u takuar me presidentin e Realit, Florentino Perez, e për të përfunduar marrëveshjen. Më pas do të vijë edhe momenti i firmës.

Cristiano Ronaldo do të rinovojë kontratën e tij, e cila aktualisht skadon në vitin 2018, deri në vitin 2021 dhe do të rikonfirmohen shifrat aktuale, që e mbajnë atë në vendin e parë të klasifikimit të lojtarëve më të paguar, me një pagë prej 21 milionë eurosh neto në sezon.

Top Channel