Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në Durrës

04/08/2016 11:35

Policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në Durrës. Qëllon me armë zjarri automatik. Arrestohet në flagrancë autori. Sekuestrohet arma e zjarrit dhe 19 fishekë.

Policia e Durrësit ka bërë të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale në lagjen Nr.16/1, ku kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Gentian Dodaj, 29 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i tij u bë pasi ditën e djeshme, rreth orës 22:45, në një lokal është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin A.H., 46 vjeç, banues po në Durrës.

Më pas, ka shkuar në banesë të marrë armën e zjarrit automatik dhe ka qëlluar në ajër në afërsi të banesës së shtetasit A.H. Me të marrë njoftimin, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje efektivët e policisë, të cilët kanë bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes, mbledhjen e provave materiale dhe pyetjen e dëshmitarëve. Nga kryerja e veprimeve intensive hetimore kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

U gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: një automatik model 56, një krehër me 19 fishekë dhe 1 gëzhojë.

Dodaj është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës.

Top Channel