Tiranë, Veliaj përuron këndin e lojërave përballë Presidencës

02/08/2016 00:00

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përuroi këndin e rikonstruktuar të lojërave në zonën e njohur si “Libri universitar” përballë Presidencës. Veliaj deklaroi se ishte i lumtur që fillonte mandatin e dytë duke përuruar punën për fëmijët.

“Më vjen mirë që e fillojmë muajin gusht dhe vitin e dytë të mandatit tonë me një punë fantastike për fëmijët. Falënderoj të gjithë kolegët e bashkisë, të gjitha ndërmarrjet tona, që kanë punuar gjatë muajve të verës, për t’u siguruar që ky kënd lodrash përballë Presidencës kthehet në një tjetër kënd për fëmijë, i treti në fakt që pas atij tek liqeni dhe rr. ‘Mine Peza’”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se kjo hapësirë është shtuar në sipërfaqe, duke i bërë ato të disponueshme për publikun, të cilat deri dje ishin zona të izoluara.

“Kemi hapur të gjithë parkun përballë godinave qeveritare, përballë zyrave të Kuvendit, duke fituar disa qindra metra katrorë hapësirë. Më parë kjo zonë ishte e mbyllur, e izoluar për qytetarët, kurse sot i është kthyer publikut”, shtoi Veliaj.

 Ai u bëri thirrje institucioneve shtetërore të heqin barrierat rrethuese, në mënyrë që ato të jenë në funksion të qytetarëve.

 “U bëj thirrje institucioneve publike që të heqin gardhet, muret, si shembull që edhe qytetarët të heqin shumë nga barrierat që na pengojnë jetën në komunitet, me hekurishte, saldime, mure e kangjella”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Ky kënd lodrash është i treti, por jo i fundit sipas Bashkisë së Tiranës, që parashikon ndërtimin e 12 këndeve të tilla brenda këtij viti.

“Do të kemi edhe 9 të tjerë, për t’u siguruar që çdo lagje e Tiranës të ketë një kënd lodrash. Vazhdojmë me këndin e lojërave te Katrori në zonën e Alliasit, jemi shumë afër përfundimit të atij te Materniteti i Ri dhe javën e kaluar filluam edhe atë në Laprakë”, tha Veliaj.

Top Channel