Ligjet, deri më 31 gusht. PD paraqet vërejtjet, Meta përcakton afatin

02/08/2016 00:00

Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi rinisi punën bashkë me opozitën. Si asnjëherë tjetër, gjithçka u krye për më pak se një orë, pasi palët ranë dakord t’ua kalojnë ekspertëve materialin e paraqitur nga opozita për rishikimin tërësor të draftit.

Anëtarët demokratë të komisionit ishin të rezervuar për të dhënë detaje, ndërsa ata të mazhorancës nuk komunikuan me median.

“Paraqitëm pikëpamjet tona, tani do të presim ekspertët”, tha Oerd Bylykbashi.

Opinioni i opozitës, një dokument voluminoz me 55 faqe, paraqet kritika dhe vërejtje për pothuajse të gjitha nenet e draftit të “Vetting”-ut, një tregues se procesi mund të jetë po aq i vështirë sa ai i ndryshimeve kushtetuese. Edhe pse Lulzim Basha nuk e sheh si një proces politik.

“Ne kishim busull ‘Venecian’ për draftin kushtetues. E njëjta busull do të jetë edhe për 7 ligjet. Sfida tani është zbatimi i normave kushtetuese. Procesi tani është kushtetues, ligjor dhe jo politik”, tha Basha.

Opozita e thekson pjesën kushtetuese, sepse – siç e ka shkruar edhe në opinionin e vet, – ligji për “vetting”-un duhet të shmnagë çdo mundësi që ai të atakohet në Gjykatën Kushtetuese apo në Gjykatën e Strasburgut. Një tezë që e përdori edhe kryetari i Kuvendit, kur foli sërish për konsensus, por me tone më të zbutura sesa para 21 korrikut.

“Është e vërtetë që mazhoranca i ka 84 vota dhe mund t’i votonte në çdo moment, por unë mendoj që linja e konsensusit duhet ndjekur, por jo vetëm kaq. Është e rëndësishme që të mos bëjmë veprime të nxituara, të cilat mund të çojnë një nga këto ligje në Gjykatën Kushtetuese dhe mund të na kthente mbrapa procesin”, tha kryeparlamentari Meta.

Deri tani nuk ka një date se kur mund të mblidhet Parlamenti, por ekspertëve u është lënë kohë të punojnë me draftin dhe opinionin e demokratëve deri nga mesi i muajit gusht.

Top Channel