Plagosja në burgun e Vaqarrit, policia arreston 2 persona

31/07/2016 00:00

Policia arrestoi dy autorët e dyshuar të atentatit me armë në burgun e Vaqarrit, ku një ditë më parë mbeti i plagosur një 40-vjeçar nga Kosova. Lili Dulaj u plagos në këmbë, por ai nuk ishte shënjestra e atentatit.

Ai ishte i arrestuar për dhunë në familje dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Polica njofton se nga hetimet ka rezultuar se ky person është goditur nga një distancë e konsiderueshme jashtë mureve rrethuese të këtij burgu. Nga hetimet e kryera rezultoi se shënjestër ishte Gazmir Daci, i cili ndodhet në masën arrest në burg për vrasje me dashje, vrasje e ngelur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Daci akuzohet për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizuar.

Në një njoftim zyrtar, policia thotë se ka arrestuar vëllain tjetër të tyre, Ergys Kolaverin dhe kushëririn e tij, Enea Cekën, 24 vjeç. Atentati i së shtunës dyshohet të jetë bërë për hakmarrje, ndërsa autorët kanë gabuar shënjestër. Gjatë kontrollit të mjetit të tyre janë gjetur një palë dylbi, ndërsa hetimi vazhdon për të tjerë persona që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje.

Shpërthimi në Shënkoll. Dyshohet që 26-vjeçari të jetë vetëvrarë në qeli

“Më tha jam i mërzitur, por unë i dhashë forcë duke e kujtuar se do kalojë. Foli në telefon me dikë 10 minuta para ngjarjes e më pas nga dhoma ku mbahej dëgjuam zhurmë e pamë tym”. Kjo është dëshmia e një të burgosuri dhënë për prokurorët, si njeriu i fundit që e ka parë 26-vjeçarin Flamur Sulaj, pak para se ai të digjej në dhomën numër 5 të burgut të Shënkollit, ndërsa u rrezikua jeta e pesë të tjerëve.

Por, ndërsa grupi i hetimit ka dyshime se Sulaj mund t’i ketë vënë flakën vetes duke përfituar nga fakti që gjendej vetëm në dhomë, burime nga Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve pohojnë se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale, pasi, sipas tyre, zjarri mund të jetë shkaktuar gjatë kohës që ai po bënte kafe me një bombël të vogël.

Sipas burimeve të Top Channel, Sulaj ishte dënuar me 10 vjet burg për vrasje të ngelur në tentativë dhe ndërkohë ishte në pritje që dosja e tij të shqyrtohej në Apel. Ai mbahej në dhomë me 3 të dënuar të tjerë, të cilët, gjatë ngjarjes ndodheshin në ajrim. Në qeli janë konstatuar 4 bombla të vogla që, sipas rregullores së brendshme, lejon mbajtjen e tyre nga çdo i dënuar, rregullore e cila, pas kësaj ngjarjeje, pritet të rishikohet duke qenë se neni 21 për burgjet konsideron të rrezikshëm çdo send që rrezikon jetën dhe shëndetin e të burgosurve dhe personelit, pa specifikuar se cilat janë këto sende.

Top Channel