Përcillen në banesën e fundit të rinjtë nga Kosova

26/07/2016 00:00

Me qindra vetë, ndër të cilët dhe zyrtarë shtetërorë, morën pjesë në varrimin e 21-vjeçarit kosovar, Dijamant Zabergja, një prej 9 viktimave të çmendurisë së 18-vjeçarit iraniano-gjerman, që sulmoi më 22 korrik qendrën tregtare “Olympia” të Mynihut.

I ati i Dijamantit falënderoi popullin gjerman për mbështetjen e treguar.

“Dua të falënderoj gjermanët për solidaritetin e treguar me dhimbjen time. Në zonën ku banoj, të gjithë fqinjët, por edhe njerëz të tjerë u ofruan të ndihmonin, e i kanë bërë homazhe tim biri”, tha Naim Zabergja, babai i Dijamant Zabergjas.

Naimi, pas kësaj shkoi në funeralin e njërës prej dy vajzave shqiptare, që humbën jetën në tragjedinë e Mynihut, Armela Segashi. Trupi i saj u vendos të prehej në Podujevë.

Të dy adoleshentët ishin shënjestra të rastësishme të Ali Sonboly, i cili nuk kishte lidhje me ISIS-in, por ishte i fiksuar pas vrasjeve në masë.

Policia nuk ka gjetur asnjë lidhje mes 18-vjeçarit dhe viktimave të tij, që ishin kryesisht të rinj, më të vegjlit 14 vjeç. Numri i të plagosurve nga ngjarja ishte 35, përfshirë edhe persona të cilët janë lënduar jo nga agresori, por nga paniku që shkaktoi veprimi i tij.

Top Channel