Vlorë, bllokohet anija turistike. S’kishte certifikatë, nuk njoftoi policinë

22/07/2016 00:00

Në gjirin e Vlorës kanë nisur të punojnë disa mjete lundruese, që ofrojnë udhëtime turistike. Një prej tyre është gjobitur dhe bllokuar për shkak se është përfshirë në një aksident.

Mjeti i tejmbushur me njerëz është përplasur, ndërsa po përpiqej të ndalonte në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun. Përplasja ndodhi me një skaf të vogël të ankoruar në këtë zonë. Ngjarja ndodhi në orën 15 e 40 minuta të së dielës dhe Policia Kufitare, pasi mori njoftimin, doli në konkluzionin se mjeti “Black Pearl”, me pronare shtetasen Leonora Bajrami dhe me kapiten shtetasin Nikollaq Janku, në manovrën që ka bërë në lundrim e sipër ka dëmtuar një mjet tjetër lundrues, skafin “Pauen”, i cili ka qenë i parkuar e pa persona në bord.

Nga hetimi në lidhje me këtë përplasje ka rezultuar se, fajtore ka qenë anija turistike “Black Pearl”, shkelje për të cilën janë marrë këto masa administrative: 50 mijë lekë gjobë për mosrespektim të rregullave të lundrimit, si dhe 50 mijë lekë gjobë për mosnjoftim të Policisë Kufitare për daljen në det.

Gjithashtu, anija është bllokuar për 3 ditë, sepse i ka mbaruar afati i certifikatës së regjistrit detar dhe është në proces rinovimi për kapacitetin e transportit.

Anija u nis ditën e diel për të shkuar drej Karaburunit. Në nisje qëndron gjithmonë një oficer i Kapitenerisë, që kontrollon kapacitetin dhe kushtet e sigurisë. Por me gjithë kontrollin e së dielës, anija rezultoi se nuk ishte me cerfitikatë për kapacitetin mbajtës, nuk kishte lajmëruar Policinë Kufitare për rrugëtimin.

Për më tepër, rreth saj mungojnë mjetet e sigurisë si gomonet, ndërsa mbetet për të verifikuar nëse të gjitha këto mjete që lundrojnë në gjirin e Vlorës kanë numrin e duhur të jelekëve të shpëtimit për të gjithë personat që marrin në bord

Top Channel