Reforma në mediat e huaja; disa njoftojnë konsensusin, disa rikthimin e krizës

21/07/2016 00:00

Deri përpara disa orësh, lajmet në shtypin e huaj të referuara Shqipërisë përshëndesnin arritjen e kompromisit për reformën në drejtësi, disa duke kujtuar në të njëjtën kohë paralajmërimin e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu se politikanët shqiptarë do të vuajnë pasojat afatgjata të veprimit të tyre nëse e bllokojnë këtë përpjekje.

Sot, rikthehet në pasqyrimin e tyre dilema e zgjidhjes së një ngëçi tejet të zgjatur tashmë. Paketa e reformës është përgatitur përgjatë 18 muajsh, e sërish, qeveria e opozita shqiptare vazhdojnë të grinden për të, shkruan “Associated Press”, e cila shpjegon në artikullin e saj se Partia Demokratike i është kundërvënë masave të paraqitura nga ekzekutivi e ka paraqitur një kërkesë të re që ka zemëruar Brukselin e Uashingtonin.

Bëhet fjalë për një reformë të konsideruar të një rëndësie kyçe në bindjen e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në vendin ballkanik, vazhdon agjencia prestigjioze e lajmeve. Po i saj është dhe njoftimi se përmes Knut Fleckenstein, Parlamenti Europian i kërkoi liderëve politikë ta votojnë paketën dhe se dështimi do të peshonte rëndë mbi perspektivën e negociatave të aderimit.

“Shtyhet përkohësisht reforma në drejtësi e Shqipërisë, ndonëse presioni ndërkombëtar e bindi partinë më të madhe të opozitës të pranonte draftin final”, shkruan e përditshmja britanike “Daily Mail”.

Pasojat e një dështimi në arritjen e marrëveshjes i përmend edhe “New Jersey Herald”. Pas një angazhimi 18 mujor të politikanëve, ekspertëve vendas, Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, vota konsensuale e 140 anëtarëve të Parlamentit për legjitimitetin e reformës u duk se u bë e mundur të mërkurën pas arritjes së kompromisit mes qeverise dhe opozites, por tani është vënë në pikëpyetje thotë “DW”.

Arsyeja është kërkesa e re e kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili i meshoi idesë se organet e reja në sistemin e drejtësisë, Këshilli Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ngrihen me të njëjtën formulë si Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ose veting-u: 3 anëtarë nga mazhoranca dhe 2 nga opozita.

Kërkesa në fjalë ka ngjallur reagime të forta nga SHBA-ja dhe BE-ja. Deklarata e Ambasadës amerikane tregon se një pretendim i tillë, prej misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara konsiderohet një përpjekje e qëllimshme për bllokimin e reformës. DË citon analistë të ndryshëm të pohojnë se ka politikanë që e kundërshtojnë reformën, pasi tremben se nga përballja me drejtësinë, mund të arrestohen dhe te dënohen.

Top Channel