Turqi, “fshesa” antigyleniste prek edhe arsimin. Mbi 15 mijë të shkarkuar

19/07/2016 00:00

Dallga e shkarkimeve në Turqi ka vazhduar me pezullimin e 15.200 arsimtarëve të dyshuar për lidhje me klerikun Fetullah Gulen. Bordi i Arsimit të Lartë ka urdhëruar gjithashtu largimin e 1.500 dekanëve, e raportuar kjo nga media shtetërore, që citon burime pranë Ministrisë së Arsimit.

Pak përpara këtij vendimi, kryeministri Binali Yildirim ishte zotuar t’i zhduke nga rrënjët mbështetësit e dijetarit islamik, që jeton prej vitesh në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-aleati i Recep Tayyip Erdoganit mohon çdo përfshirje, por akuzat e përfshirjes së tij në grushtin e dështuar të shtetit kanë qenë të hapura.

Përpara se fshesa e autoriteteve turke të binte mbi arsimin, shënjestra e saj u bë ushtria dhe policia, ku u shkarkuan e arrestuan me mijëra vetë. Në ndëshkimin e komplotistëve, presidenti turk duket i gatshëm të rikthejë deri edhe dënimin me vdekje, pavarësisht paralajmërimeve të prera të ndërkombëtarëve.

“Turqia është një shtet demokratik i drejtuar nga sundimi i ligjit”, i tha Erdogan turmës së simpatizantëve të mbledhur përpara rezidencës së tij në Stamboll. “Unë jam i gatshëm ta vendos sërish këtë dënim, nëse populli e kërkon dhe Parlamenti e miraton legjislacionin”.

“Nuk mund të bëhet veshi shurdh përpara kërkesave të popullit. A mos vallë Amerika vet nuk e ka dënimin me vdekje? Apo Rusia? Apo Kina? Apo shtete të tjera anembanë botës? Të vetmet që nuk e kanë dënimin kapital janë vendet e Bashkimit Europian”, tha Erdogan.

Turqia e hoqi në vitin 2004 dënimin me vdekje, në vazhdën e përpjekjeve të saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Top Channel